Lajme

Vjen reagimi nga MPJ pas akuzave se u dhanë 2 milionë dollarë për njohjen e Kosovës nga Ishujt Maldive

11/19/2019 21:19
nga:B. D

Gjatë ditës së sotme u raportua në disa medie që ish-ministri i Jashtëm i Ishujve Maldive, Ahmet Shaheed, po akuzohet se mori 2 milionë dollarë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruan GazetaBlic.

Menjëherë pas këtyre lajmeve, GazetaBlic ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), ku Jetlir Zyberaj, Këshilltari i Ministrit në detyrë të MPJ, Behxhet Pacolli, tha se këto akuza kanë të bëjnë me problemet e brendshme politike të Ishujve Maldive.

“Ne nuk komentojmë zhvillimet e brendshme politike te shteteve të tjera partnere të Kosovës, përplasjet e forcave politike atje, sigurisht janë çështjet e tyre ato”, tha ai.

Zyberaj tha se Kosova ka marrëdhënie të mira me Ishujt Maldive dhe se ka përkrahje të fuqishme nga ta.

“Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie të shkëlqyera me Ishujt Maldive dhe kemi përkrahje të fuqishme ne secilin forum multilateral”, tha Zyberaj.

Ai po ashtu tha se Kosova njihet nga shumë shtete të vendeve të ndryshme demokratike të botës dhe se njohja nga Ishujt Maldive ka qenë vazhdimësi e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

“Republika e Kosovës njihet nga shumica dërrmuese e vendeve demokratike te botës dhe njohja nga ky shtet ka qene vazhdimësi e afirmimit ndërkombëtar të shtetit tonë”, shtoi ai për GazetaBlic.

Sipas medieve të Maldiveve që kanë raportuar gjatë ditës së sotme, thuhet se ish-ministri i Jashtëm i Maldiveve, Ahmet Shaheed po akuzohet se mori 2 milionë dollarë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e kjo erdhi si shkak i një mocioni të ngritur nga deputeti i Kuvendit të tyre, Mohamet Nasheed, e që në kohën kur ndodhi njohja e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet, Nasheed ishte president i këtij vendi.

Ishujt Maldive e kishin njohur Kosovën saktësisht më 6 shkurt të vitit 2009.

12/10/2019 20:57

E thotë Ramush Haradinaj: Në Ballkan s’duhet të thuhet kurrë që s’mund të ketë luftë