Lajme

“Vjedhja e 2 milion euro nga Thesari është skandal që tregon se në Kosovë është abuzuar me mjete shtetërore”

10/29/2020 00:31
nga:Gazeta Blic

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se vjedhja e dy milionë eurove nga Thesari i shtetit të Kosovës është skandal që tregon se në Kosovë është abuzuar me mjete shtetërore.

Ai ka thënë se është obligim i institucioneve të drejtësisë që të zbardhin rastin dhe po ashtu ka thënë se çështja është te administrata që nuk ka ndryshuar rrënjësisht nga qeveritë e kaluar.a

“Ka qenë një prej veprimeve që ka ndodhur në Kosovë e që ka mundësi të ketë patur edhe më herët. Është obligim i institucioneve mbi zbatimin e ligjit të veprojnë konform rregullave që ekzistojnë në demokraci. Duhet vepruar sistemi i drejtësisë që gjykatat të jenë të pavarura, prokuroritë po ashtu, të bëjnë veprimin e duhur pavarësisht se kush mund të jetë i përfshirë në veprime të tilla. Ky verpim na bënë me dije se në Kosovë mund të bëhen keqpërdorime të tilla dhe nuk duhet lejuar të ndodhin. Është skandal i llojit të veçantë që tregon se në Kosovë është abuzuar me mjete financiare të shtetit. Konsiderojmë se është e bartur nga e kaluara, mirë që është zbuluar pikërisht nga kjo Qeveri, në kohën kur vepron kjo Qeveri. Më mirë të zbulohet tani dhe të merret çdo veprim për të evituar rastet e tilla. E kemi edhe rastin në AUV ku u vjedhë kasaforta. Tregon se duhet vepruar edhe mëtutje që çdo gjë të jetë në siguri të plotë në këtë vend”, ka thënë Isufi në Intreaktiv të KTV-së.

Ai nuk ka dashur të përgjigjet nëse aludon se personat që kanë kryer vjedhjen janë nga PDK-ja apo ndonjë parti tjetër.

“Administrata ka vazhduar të veprojë si e njëjtë, nga qeveritë e kaluara, nuk ka pasur lëvizje të tilla që të ndryshohet në masën që të bëhet revolucion i brendshëm. Kuadrot në administratë kanë vazhduar punën brenda. Administrata ka defekte e duhet zbuluar nga prokuroria e gjykatat të kryejnë detyrën e tyre. Po ashtu Qeveria duhet të mbështesë ato e të mos ndërhyhet politikisht. Shikoni prej kur punojnë këta punonjësit e administratës që akuzohen dhe mund të kuptoni se ku buron keqpërdorimi. Nuk kam adresë të veçantë, shikoni kuadrat nga vijnë. Kemi deklarime edhe të atyre që kanë qenë në administratë dhe që janë me pozicione politike, është pasqyrë e qartë”, ka thënë Isufi.