Lajme

“Vizita e Lajçakut në Kosovë, tentativë e BE-së për rikuperimin e rolit të saj në negociatat Kosovë-Serbi”

06/10/2020 09:51
nga:E Sh

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet që ditët në vijim të qëndrojë në Kosovë.

Temë diskutimi padyshim do të jetë çështja e rifillimit të dialogut mes dy shteteve fqinje.

Analisti Fitim Salihu po e sheh këtë vizitë si tentativë të BE-së për ta marrë rolin në këto negociata.

Për GazetaBlic, Salihu ka thënë se pavarësisht përpjekjeve, roli i BE-së në këtë proces do të jetë dytësor, pas SHBA-së.

“Kjo është një tentativë nga BE-ja që ta rikuperoj rolin e saj në negociatat Kosovë-Serbi, rol të cilin e ka humbur si pasojë e mungesës së rezultateve konkrete nga procesi negociator i Brukselit. Ardhja e një presidenti proaktiv në Shtëpi të Bardhë si Trumpi dhe fakti qe ai dërgoi emisar special për dialogun, ambasadorin Grenell, e ka rritur presionin në Bruksel që të riaktivizohen në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Duke e marrë parasysh këmbënguljen e Presidentit Trump që marrëveshja të finalizohet në Shtëpinë e Bardhë (kujtojme letren per presidentet Thaçi dhe Vuçiq ne dhjetor 2018), mendoj që roli i BE-së dhe Lajçakut në këtë proces do të jetë dytësor”, tha ai.

Por, sipas tij, çështja e liberalizimit të vizave dhe procesi eurointegrues do të mund ta rrisin rëndësinë e BE-së në dialog.

“Marrë parasysh edhe faktin që presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë deklaruar hapur se presin që Uashingtoni ta përfundojë këtë marrëveshje, nuk jam optimist për fuqinë e BE-së në finalizimin e marrëveshjes. Mirëpo nuk duhet harruar që BE-ja ka akoma në duar disa karrota që mund ta rrisin rëndësinë e saj në këtë proces – procesin eurointegrues për Serbinë dhe liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Salihu.

Çështje diskutimi në Kosovë është bërë edhe udhëheqja e dialogut nga pala kosovare.

Për Salihun, kjo është e qartë, se Qeveria do jetë udhëheqëse por se edhe roli i presidentit të Kosovës do të jetë i rëndësishëm.

“Mendoj që Qeveria Hoti e ka bërë të qartë se do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se qeveria është ajo që e udhëheq dialogun. Por, mendoj se edhe roli i Presidentit do të jetë shumë i rëndësishëm”.

Dje, presidenti Hashim Thaçi ka folur rreth vizitës së Lajçakut në Kosovë.

Ai ka thënë se takimi me të do të varet nga qasja e Lajçakut për Kosovën, ndërsa ka thënë se nuk është i informuar zyrtarisht për një vizitë të tillë.

“BE duhet ta ndryshojë qëndrimin e vet në raport me Kosovën. Unë do ta shikoj sugjerimin dhe idetë e tij në kërkesën për takim me presidentin dhe mbi bazën e situatës do ta paraqes qëndrimin tim në përputhje me Kushtetutën”.

Rikthimi i palëve në tryezën e negociatave bëhet pas heqjes së taksës nga ish-qeveria Kurti dhe tani heqjes së reciprocitetit nga qeveria Hoti. Serbia kishte kushtëzuar dialogun me heqjen e të gjitha pengesave.

A do ta pranojë Lajçakun në takim? Përgjigjet Hashim Thaçi

 

08/02/2020 09:38

“Dialogu kompleks, Hoti pa përkrahje politike”