Opinion

Viza historike për në Yeşilköy

02/03/2018 19:24
nga:Xhemal Ahmeti

Shkruan: Xhemal Ahmeti

 

Dy perceptime janë bërë sërish aktuale. Njëri thotë: BE dhe tjerët diskriminojnë shqiptarët. Tjetri thotë se shqiptarët nuk meritojnë më shumë se kaq – prandaj humbin çdo tren të mundshëm të historisë. Cili shpjegim nga këta qëndron e cili jo? Duke kërkuar përgjigjen përfunduam edhe ne si shtetet shqiptare – në pashtegësi! Tjetër s’kanë faje por interesa, ndërsa shqiptarët faje po dhe asgjë tjetër.

 

Verë, 2017. Udhës nga Petrovaci për në Beçiçi, në hyrje të ishullit «Shën Stefani», u ndalëm për të pushuar. Sa dolëm nga vetura veshët na i pushtoi një zë polemizues shqip. Një çift rreth të pesëdhjetave, i cili herë pas here peshkonte copa buka në një qese mbi kulmin e xhipit, gjestikonte ashtu sikur ishin duke ikur nga masakra e Batakut. U afruam. I përshëndetëm, natyrisht shqip. Në vend se të kthejnë përshëndetjen apo të prezantohen, burri syskuqur na ulëriu: «O çun thuaji ore kësaj motrës këtu se, ja këtu para hundëve tona, në këtë ishull, djall osmani ia fali tokat shqiptare rusëve, jo atyre, por bullgarëve, rumunëve malazezëve, serbëve», na ktheu shpinën «ori unë jam mësues historie këtu, jo ti. Ti je rrobaqepëse mos më çaj…» sërish u kthye kah ne: «Hë çun thuaji kësaj… nga ju patëm?». «Nga Yeşilköy ndërmjet Stambollit dhe detit Marmara» i thamë. E shoqja e tij zgërdhihej ëmbël. «Mirë bukur, por ne s’kemi viza për Turqi se kishim ardhur nojherë edhe andej», na tha historiani, ndërkaq ajo, zonja, rrobaqepësja pra, iu drejtua: «O mësues historie nuk të duhet vizë fare ty për atje se e kemi që nga 3 marsi i 1878-ës». Ai nuk e kapi, ajo e kuptoi se ne nuk ishim vërtet nga «fshati i gjelbër» turk, porse atje është nënshkruar «Traktati» famëkeq e jo në ishullin para të cilit hante bukë mësuesi i historisë nga Tropoja.

Pa e zgjatur anekdotën edhe matej, polemika ndërmjet tyre kishte shpërthyer nga kjo kontradiktë e veçantë: I shoqi thoshte se shqiptarët janë kështu, në gjendje të mjerë për shkak të armiqësive, pushtimeve e tregtimeve që ua bënë të tjerët, të huajt. Ndërkaq e shoqja e kundërshtonte, ajo ishte e bindur se fajin e kryesor megjithatë e mbajnë shqiptarët «përjetësisht të pagdhendur».
Vërtet; cila hipotezë prej këtyre qëndron?
Anketë me masën, për ta zbardhur të vërtetën rreth këtyre dy perceptimeve nuk bëjmë dot. Çka mund të bëjmë tjetër? Nisur nga ato që lexojmë e perceptojmë mediave e interaksioneve personale mund ti përballim këto dy mendësi për të parë se çka qëndron nga njëri e çka nga tjetri version?

Pyetja pra «kush i ka fajet më shumë për gjendjet shqiptare, tjerët apo ata vetë», duke aktuale si gjithmonë?
Ndoshta me pasqyrimin e parullave të dy kategorive – qëllimisht të atyre më ekstremeve – që këtu do i quajmë si euroturbo dhe manistë ia dalim të nxjerrim ndonjë sintezë të vyeshme. Natyrisht pa lënë anash e pa involvuar këtu ekzistimin dhe veprimin e qeverive shqiptare. Ndoshta këtu ia dalim të kuptojmë se a janë këto dilema sërish «akute» specifikë shqiptare apo sjellje «normale» e çdo populli me histori të njëjtë.

II. EUROTURBOT
Për kategorinë e atyre që mezi presin të vërdallën pa viza kontinentit, ky kufizim qenka rezultat i qeverive të korruptuara shqiptare. Elitat politike – gjithmonë sipas kësaj kategorie – për të fshehur paaftësinë, korrupsionin, shpikin konflikte me partnerët ndërkombëtarë si ai me demarkacionin, mosimplementimin e asociacionit të komunave serbe dhe tentimsabotimi i «Gjykatës speciale». Atë instancë që vetë e aprovuan dhe për pak e anuluan. Opinionistë dhe portalo-akrobatët, «populli» i kësaj kategorie kultivon kryesisht mantran; shqiptarët të mos jenë popull i ngritur sa për të qeverisur veten dhe pa asistencën e huaj do të përfundonin edhe më keq. Disa prej tyre edhe haptazi manifestojnë simpatinë për kohën e Jugosllavisë së «vëllazërim bashkimit», ose demonstrojnë një simpati madje për jetën, urbanitetin dhe vendet në Serbi në formën «nuk shtyhemi ne me serbët, as në diplomaci, as në kulturë, as në…»! Summa summarum: kjo kategori është e mendimit që për gjendjet shqiptare sot e në histori janë fajtorë vetë shqiptarët e askush tjetër, ngase ashtu i paska «falë Zoti, ç’të bëjmë».

III. MANISTËT
Kundërshtarët më agresivë të këtyre janë ajo kategoria që për shtab orientimi ka varret e të parëve, atyre heroikëve, si Skënderbeu e deri tek Adem Jashari. Këta besojnë se kjo çka sot politikisht kanë shqiptarët në Ballkan është pak; është rezultat i padrejtësive historike të bëra ndaj tyre me «Traktatin» që përmendëm, Berlinin, Londrën, Parisin e gjithandej. BE zhvilluaka një politikë diskriminuese ndaj shteteve shqiptare dhe shqiptarëve që gjenden në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi, Greqi e mbarë hartës etnike shqiptare. Ata, BE, NATO e kompani në Maqedoni instrumentalizuakan shqiptarët në favor të hyrjes së këtij shtetit tek ata, por nuk çanë kokën asnjëfije për të drejtat e tyre si etni e dytë shumicë aty. As të drejtat e tyre së si minoritet së paku nuk i kërkuakan të garantuara nga pala që i diskriminon shqiptarët historikisht aty; as gjuhën më elementaren nuk ua përkrah si të drejtë të pakontestueshme. Asgjë. I njëjti shtet ka konteste për kishën me serbët, për emrin me grekët, për ekzistencën me bullgarët por gjitha këto a ishin apo janë kritere për hyrje në BE dhe për vizat? Jo, thonë këta të tërbuar. Serbisë i është caktuar data për ta futur sa me urgjentisht në BE edhe pse kjo as falje nuk kërkon atyre që i gjenocidoi, dogji dhe shkatërroi. Përkundrazi ky shtet vazhdon të njëjtën qasje luftarake ndaj popujve tjerë përreth si atëherë para e gjatë luftës.

Në krahasim me vendet tjera kandidate
Serbia i përngjanë më së shumti autokracisë së Putinit ku s’ka media të lira, as liri të shprehjes, ka linçime të hapura dhe kontroll total të shoqërisë nga presidenti; korrupsioni atje qenka edhe më i lartë se kudo tjetër vendeve ballkanike (ngase i mbrojtur nga shteti) dhe ajo haptazi është shndërruar në bazë konkurrente ruse ndaj NATO-s. Kjo sjellje europiane – thonë manistët – është eklatante kur i krahason ato në krahasim me sjelljet e tyre ndaj shqiptarëve. I detyron kosovarët të vetëgjykohen për luftën që bëri për t’i ikur gjenocidit; e detyron atë t’i jap autonomi pakicës serbe që numerikisht as që krahasohet me «pakicat» shqiptare shteteve përreth e të llojit e sojit. Gjitha këto sjellje manifestuakan një nënçmim të thellë, flet për një përjashtim dhe sabotim të qëllimshëm të shqiptarëve si qenie. Vetë fakti se Shqipëria u bllokuaka kaq shumë vite dhe detyrohet t’i falë det Greqisë në këmbim të kthimit të pasurisë për nja 70 persona qenka përdhunim eklatant i interesave të shqiptarëve në favor të …? Hyrjes në BE? Cilës? Asaj që edhe mund mos të jetë pas 20 viteve kur shqiptarëve do u thonë «hajde»?
Ky shpjegim «frustrues» është më i përhapuri, më masivi dhe aktuali në shoqëritë shqiptare – deshën ta pranojnë apo jo këtë të tjerët.

Përtej këtyre mendësive që çajnë mentalitetin para dy shigjetave orientuese perëndim-lindje janë politikat qeveritare. Si sillen këto brenda kësaj pyetjeje?

V. SHTETET
Kur bëhet fjalë për politikat qeveritare, të dyja palët, si euroturbot ashtu edhe manistët kanë të njëjtin qëndrim, këtu të kondensuar:
Që nga dalja e Shqipërisë nga sistemi i vjetër e deri sot; që nga pavarësimi i Kosovës deri sot, asnjëherë nuk ke mundur ta lexosh një strategji të qartë kombëtare të këtyre shteteve për ndonjë temë të veçantë. Gjersa qeveritë kosovare funksionuakan sipas urdhrave të shkruara sipër leckave që primatëve ua fusin xhepave ambasadorët e kuintit gjatë ndejave që organizojnë ish-miset. Shqipëria vazhduaka të mbetet shteti më i varfër dhe më i izoluar në Evropë ngase primatët e saj ndryshe do ishin tashmë burgjeve, Jo vetëm por bashkë me fëmijët, gratë dhe baxhanakët e tyre. BE dhe tjerët qëllimisht nuk e paskan detyruar deri sot këtë shtet të bëj siç e kërcënojnë sot, ngase, ku ta dimë, ndoshta ia dilte edhe ky shtet t’i hip trenit para serbëve dhe malazezëve për në BE? Saherë Thaçi apo ndonjë tjetër paska provuar të bëjë luftën e komançove kundër kaubojve për të treguar ndonjë fije sovraniteti të shtetit që përfaqëson, shpejtë e paskan detyruar, të thyer para monitorëve duke demantuar veten para një orësh. Saherë Rama paska kërcënuar Greqinë që të heq Ligjin e Luftës dhe të merret me të drejtat e çamëve i është «sugjeruar» t’ia jap ca milje det dhe të trusë.
Pra sipas këtyre poleve dihet, ndihet e përjetohet se shqiptarët nuk disponojnë me shtete sovrane në asnjë shkronjë të kuptimit të kësaj fjalë.
Vetë qeveritë – kështu burimet tona nga brenda – edhe pse deklarativisht bëjnë çmos të duken edhe më të flaktë se vetë euroturbot, në praktikë, në vepër ata sillen shumë më të lënduar, poshtëruar e diskriminuar se çdo manist a patriot tjetër.

VI. SINTEZA
T’i rikthehemi pyetjes sonë se kush ka të drejtë; ata që thonë se fajtorët kryesorë janë vetë shqiptarët; ata që besojnë se shqiptarët nuk kanë as gjasa të përparojnë ngase bllokohen nga padrejtësia e tjerëve apo ata që thonë se ky popull nuk meriton si ashtu më shumë se kaq?
Për manistët e kanë një përgjigje neoosmanët, anti-imperialistët me pardesynë neomarksiste që u thonë: ndiqni Erdoganin dhe kush s’tallet më me ju! E keqja e këtyre është se Turqia nuk ka prishur asnjë kontratë që nga “Traktati” e deri sot me shtetet sllave kundër «arnautëve». Përkundrazi ajo gjendet në aleancë siamezike me ta dhe sërish do të ishin “pis-arnavutët” që do ta hanin, sipas çdo kalkulimi eventual. Manistët besojnë se me bashkimin e gjithë shqiptarëve mund të ndryshonte situata. Euroturbot ju bërtasin: Kurrë!, më mirë në ndonjë konfederatë me serbë se sa me Shqipërinë! Ndonjë prej këtyre euroturbove të llojit madje është avancuar në këshilltarin kryesor të qeverisë kosovare, ashtu si ndonjëra ministre e kulturës në qeverinë e Tiranës. Ndoshta kështu edhe i konsiderojnë aksionet e Vuçiçit për “zonat e përbashkëta tregtare” brenda BE e të llojit?! Mendësi për ripërtëritjen e iluzionit me emrin «Ballkani»? Spekulime ka me vagonë.

VII. KONKLUZIONE
Veç e veç të dyja palët – euroturbot dhe manistët – e teprojnë me njëanshmërinë e tyre. Bashkë mirëpo që të dyja kanë të drejtë. Bota nuk është e drejtë. Organizatat supranacionale dhe superfuqitë ka tashmë disa vite që sillen jo njëjtë karshi interesave shqiptare siç sillen ndaj interesave të tjerëve edhe kur këta janë edhe më të korruptuar dhe madje refuzues. Bie sikur respektin e BE, SHBA dhe NATO e fiton më mirë me refuzime e konkurrenca se sa me servilitet.
Nga këtu mund të largohemi nga zonat e ndërgjegjes së tjerëve, ngase ata nuk e perceptojnë si të tillë, si faj sjelljen që analizojmë, por si politikë të bazuar në interesat e tyre dhe shqiptarët edhe në kulmin e fatit nuk e ndryshojnë dot këtë sistem. Kurrë. C’est la vie!
Qenka faji i shqiptarëve atëherë? Kanë të drejtë euroturbot? Këta nuk kanë të drejtë që për shkak të ksenolatrisë së tyre grupore, auto-aversive t’i manipulojnë masat për robërime të reja, por rreth paaftësisë së shqiptarëve paçka se e teprojnë, në thelb të drejtë kanë.
Për ta ilustruar psenë e këtij pohimi në adresë të tyre, do ta përdor një dialog ndërmjet meje dhe një historiani izraelit, ku bëhej fjalë për të ashtuquajturën «Luftë gjashtëditëshe» ose «Lufta e qershorit» (5 – 10 qershor 1967), që besoj se demonstron se ku edhe mund ta kërkojmë dështimin kapital të të gjitha qeverive e politikave shqiptare, respektivisht kosovare. Ja dialogu:

Unë: «Lufta gjashtëditëshe» ishte gabimi më i madh i Izraelit.
Ai: Ato 6 ditë vendosën se a do të jetë Izraeli shtet sovran apo vetëm një marionetë me liri të falur nga perëndimorët si kompensim për Holokaustin.
Unë: Domethënë ishte brenda strategjisë së dëshmimit të sovranitetit?
Ai: Po një strategji e ndërtuar nga kokat më të mençura izraelite të asaj kohe nga viti 1949 deri në vitin 1966.

Strategjia për dëshmimin apo konsolidimin e sovranitetit të shtetit brenda një hapësirë gjeopolitike nuk nënkupton se bëhet vetëm në formën siç ishin të detyruar ta bëjnë izraelitët atëbotë, ndryshe, por një po. As sot e kësaj dite shumica e shteteve perëndimore nuk është shëruar nga «thika pas shpine» e hebrenjve, prandaj i hakmerren duke mos ia njohur Jerusalemin si kryeqytet, por sovranitetin e tij nuk mund ta vë më kush në pikëpyetje. Kosova nuk pati koka të mençura atëherë, por a ka sot? A ka sot Shqipëria dhe Kosova kapacitete që ta ndërtojë një strategji tredimensionale: 1. Hyrjen në organizatat supranacionale bashkë me tjerët 2. Përforcimin e kulturosferës brenda gadishullit për t’ia rritur vetes dominancën e nevojshme gjeostrategjike dhe 3. Pa humbur detin, Veriun, Trepçën apo Brezovicën?
Ndoshta i ka këto kapacitete, nuk e dimë. Nga ajo mirëpo që lexojmë dhe shohim, kështu si shfaqen nuk i tejkalojnë as me zor aftësitë e atij mësuesit tropojan të historisë që ishte i bindur se traktati ishte shkruar mijëra kilometra larg vendit ku vërtetë ishte nënshkruar, në fshatin turk Yeşilköy, nga zona prej ku çuditërisht vjen shumica e personelit të «ambasadave» turke viseve shqiptare. E për atje vërtet s’ka nevojë kush për vizë!

07/22/2018 12:56

Kush afirmon ndarjen e Kosovës?