Lajme

Vitin që vjen Kosova bëhet me ligj të ri për informatorët

12/05/2017 13:46
nga:D.I

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë në tryezën e rrumbullakët për statusin aktual të mbrojtjes së sinjalizuesve, se pa informatorë nuk mund të luftohet korrupsioni, ndërsa shërbyesit publik duhet të demonstrojnë që në çfarëdo rrethane janë të besueshëm.

Megjithatë, ajo tha se largimi i zyrtarëve të korruptuar është hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Apostolova theksoi se nga shqyrtimi i fundit i bërë nga Zyra e BE-së, del se ekziston nevoja që legjislacioni të përshtatet konform standardeve evropiane.

Ministri i Drejtësisë, Albelard Tahiri tha se duke e ditur që krimi dhe korrupsioni po e mbajnë peng të ardhmen evropiane të Kosovës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë dy prioritetet kryesore gjatë qeverisjes së tij.

Ai tha se në Kosovë ekziston një ligj për mbrojtjen e informatorëve, por zbatimi i këtij ligji është pothuajse i papranueshëm.

Sipas Tahirit, përkushtimi i tij në këtë drejtim, vitin që vjen do të rezultojë me një ligj të ri për informatorët, që do të promovojë kulturën dhe do të parandalojë korrupsionin dhe mashtrimin.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli tha se sinjalizuesit ndikojnë në uljen e keqpërdorimeve. Ai shtoi se 50 për qind të raportimeve të rasteve kanë arritur t’i marrin nga këta informatorë.

Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se nga perspektiva e tij si autoritet kyç shihet Parlamenti i Kosovës, ku edhe duhet të trajtohen çështje të tilla të rëndësishme.

12/10/2017 22:59

Pse po vonohet Termocentrali “Kosova e Re”?