Sporti

Viti “kaltër e verdhë”

01/02/2020 13:12
nga:M K

Mes qindra alibive që e karakterizuan vendin tonë në vitin që tashmë e lamë pas, s’kishte si të mungonte një gjë që do të shkëlqente. Futbolli dhe kombëtarja e Kosovës. Një simbiozë “par excellence”, bashkëdyzimin më të mirë të së cilës, vështirë se do ta gjenim diku tjetër.

Kombëtarja “kaltër e verdhë” e udhëhequr nga Bernard Challandes kishte hyrë në vitin 2019 me një seri tejet pozitive, prej 10 ndeshjesh pa humbje. Kishte skepticizëm se kjo seri vështirë se do të vazhdonte edhe në kualifikimet e rregullta, që do të fillonin në mars, e që do t’i paraprinte ndeshja miqësore me Danimarkën, kombëtare kjo me shumë yje brenda fondit të lojtarëve, shkruan GazetaBlic.

Megjithatë, para ndeshjes me Bullgarinë, Kosova mbuloi pritshmëritë. Një 2-2 përballë Danimarkës, e cila realizoi fare në fund. Por askujt s’i bëhej vonë për atë takim revyal. Mendja ishte te bullgarët. Secili kundërshtar në grupin A konsiderohej më i fortë se Kosova, duke pasuar parasysh edhe faktin se ishin kualifikimet e para të rregullta për djelmoshat tanë.

Por, të besuarit e Challandes nuk e vrisnin fortë mendjen nëse përballë e kishin Azerbeixhanin, Bullgarinë apo Brazilin. Thjesht ata do ta luanin ndeshjen e tyre dhe do të tentonin maksimumin e pikëve. Megjithatë, në ndeshjen e parë fati nuk ishte në anën e futbollistëve të veshur me të kaltëra. Arbër Zeneli, lojtari që e ktheu baraspeshën në lojë, ishte afër të shpallej hero i kosovarëve, saktësisht 125 ditë pas paraqitjes së ëndrrave ndaj Azerbeixhanit, fitorja dhe spektakli ndaj të cilit na siguroi fazën e “Play-Off’it” në Ligën e Kombeve, aty ku na pret fqiu jug-lindor, Maqedonia Veriore.
Rrugëtimi i mëvonshëm i së njëjtës fazë qe fenomenal. Barazuam me Malin e Zi në udhëtim, ndeshje kjo e cila na mori Arbër Zenelin. Futbollisti që tashmë kishte kaluar në Francë te Reims, nga Heerenveeni, u lëndua keq, për të mbetur jashtë fushave të blerta për afro një vit, pasi rikthimi i tij pritet të ndodhë në fund të këtij muaji ose në fillim të shkurtit.

Gjithsesi, ndeshja e tretë e këtij cikli përballë Bullgarisë ishte “mesele”. Kosova kaloi në epërsi me golin e Rashicës, teksa vendasit barazuan në çastet e fundit të fraksionit të parë. Me të kaluar pak minuta të së dytës, Bullgaria shënoi golin e epërsisë. U duk se kapituluam, por Muriqi fillimisht, e Rashani në çastet e fundit ia dhuruan fitoren historike kombëtares sonë. Ëndrra vazhdoi edhe në Shtator, kur mposhtëm njërin nga dy favoritët, Çekinë. Përkundër faktit se çekët ishin më të mirë në fushë, fati ishte në anën tonë. Pak Vojvoda, e pak fati, e dërguan topin në rrjetë, për ta regjistruar fitoren e radhës, madje me pesë mungesa të formacionit bazë. Në katër ndeshjet e fundit, gjasat ishin reale. Megjithatë humbja nga Anglia në ndeshjen e parë dhe humbja e Anglisë në Çeki, që ishte rivali ynë direkt për vendin e dytë na i zvogëloi shpresat. Humbja direkte nga Çekia në Pilsen, edhe matematikisht na la jashtë EURO, edhe pse kishim një ndeshje të fundit në grup, ajo ndaj Anglisë, e cila u shqua me mikpritje të shkëlqyeshme për anglezët dhe rritje enorme të imazhit pozitiv në arenën ndërkombëtare.

Megjithatë, gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve në Mars, fillimisht ndaj Maqedonisë Veriore si mysafire, e pastaj në rast kualifikimi me fituesin e gjysmëfinales tjetër Gjeorgji-Bjellorusi, na japin goxha shansa që ta kërkojmë kampionatin evropian, që në vitin 2020 regjistron jubileun e 60’të.
Ndërkaq, kujtojmë se në fund të Nëntorit, janë mësuar edhe grupet e këtij kampionati. Kosova, në rast kualifikimi do të jetë në grup me Holandën, Austrinë dhe Ukrainën, por gjithmonë nëse nuk kualifikohet Rumania, pasi kualifikimi i Rumanisë dhe Kosovës në të njëjtën kohë, na ndërron grupin ne, ku për fat të keq do të jemi në atë të ‘vdekjes’, bashkë me Gjermaninë, Francën dhe Portugalinë.

Bernard Challandes – “Ajka e vitit”

Pa as më të voglin diskutim. Nëse nuk ke asnjë çmim që mund t’ia dhurosh, atëherë duhet ta zbulosh ndonjë. Gjakftohtësia e tij prej një trajneri të madh, karizma, puna e jashtëzakonshme me kombëtaren tonë, padyshim se meriton duartrokitje, për më tepër, përkrahje sa më të madhe për ndeshjet e marsit dhe kuptohet, çmimin “ajka e vitit”. Kënaqësia sadistike e të shikuarit sesi ecën në fushë, sjelljet e tij “alla kosovare” vetëm sa e dëshmojnë se ai është njëri prej nesh. Përkundër faktit se shumë shpejt kontrata e tij me FFK-në skadon, këta të fundit janë më se të interesuar që të njëjtën ta vazhdojnë për një kohë edhe më të gjatë, pavarësisht çmimit që kërkon ai. Kujtojmë, katër fitore, tre barazime dhe po aq humje ishin statistikat e vitit që lamë pas për Challandes’in, gjithmonë duke llogaritur këtu edhe ndeshjet miqësore. Përkundër rezultateve të marsit, ai do të hyjë në histori si trajneri i parë i yni në kualifikimet e rregullta, e të cilat i përfundoi në vendin e tretë, e ku do të duhej të ishim të kënaqur edhe me vendin e katërt, duke shtuar këtu, se edhe vendi i pestë për një debutues, s’është edhe i keq.

Amir Rrahmani “Plusi i Vitit”

Paraqitjet e shkëlqyera me Kosovën dhe Veronën sipas të gjitha gjasave do ta kthejnë karrierën e tij në një tjetër drejtim. Djaloshi nga “lagjia e spitalit” ishte faktor kyç në ndeshjet e Kosovës, ku përveç murit në qendër të mbrojtjes bashkë me Fidan Halitin, ai shënonte edhe gola. Ndërkaq, performanca në Serie A me Veronën, duket se u ka rënë në sy klubeve më të mëdha evropiane. Por, vetëm njëra nga to do ta ketë fatin që ta ketë në radhët e veta futbollistin e dikurshëm të Ramiz Sadikut. Napoli. Nënkampionët aktual italian tashmë kanë siguruar shërbimet e kapitenit kosovar, përveç se tani mbetet të shihet nëse transferimi i tij do të ndodhë në Janar apo në Qershor. Gjithsesi, ajo që ia vlen të ceket, rrugëtimi ëndrrash i tij. Vetëm paramendoni itinerarin, Ramiz Sadiku-Drenica-Partizani i Tiranës-Split-Dinamo Zagreb-Lokomotiva dhe së fundi Verona. Jo më kot, epiteti “plusi i vitit” sa i përket kombëtares i shkon Rrahmanit.

Donis Avdijaj “Minusi i Vitit”

Skuadrat nuk po e duan, teksa me ato që po nënshkruan nuk po arrin asesi që të tregojë veten, përkundër faktit se talenti nuk po i mungon. Kur ishte te Schalke, klubi gjerman ia kishte vendosur klauzolën prej 50 milionë eurosh, por kapriçot prej adoleshenti duket se kanë ndikuar negativisht në karrierën e tij. Fillimisht u përjashtua te Willem II, para se të kalojë te Trabzonspori, duke thyer rregulla edhe aty. Më larg kishte shkuar edhe Pescara, e cila i kërkonte futbollistit kosovar që fillimisht prova, para se të merrte vendim për transferim. Por, ky nuk ishte fundi. Ai u përjashtua edhe te kombëtarja e Kosovës dhe pritet të mos ftohet përderisa Challandes të jetë selektor. Ky i fundit pati deklaruar se janë disa principe që e ndalojnë atë të ftojë futbollistë si Avdijaj. Kush e di se ç’ka bërë edhe në grumbullimet e kombëtares. Le të jetë në ndërgjegjien e tij, por mos-pjesëmarrja në kompeticione të tilla dhe sjellja me klubet po ia dëmtojnë rrugëtimin në karrierë. Jo më kot është përzgjedhur edhe si “minusi i vitit” te Kosova.

Arbër Zeneli, “lëndimi i vitit”

Një lëndim që na la pa yllin e kombëtares thuajse për 75% të ciklit kualifikues. Në ndeshjen e dytë me Malin e Zi, futbollisti i Reims u largua nga loja gjashtë minuta para fundit të pjesës së parë. Që nga ajo kohë ai më nuk luajti fare, derisa tashmë është thuajse në fazën finale të rikuperimit. Me plotë të drejtë cilësohet si “lëndimi i vitit”. Kujtojmë se lëndimet ndikuan shumë në rezultatet e kombëtares, pasi në asnjërën prej ndeshjeve nuk ka qenë formacioni i parë.

Vedat Muriqi “futbollisti i vitit”

“Topi i Artë” për vitin 2019 në Kosovë i takoi yllit të kombëtares dhe të Fenerbahces, Vedat Muriqit.
Sulmuesi vrastar nga Prizreni ishte njëri nga më të mirët te Kosova, ku në shumicën e ndeshjeve ishte vendimtar. Gjithashtu, paraqitjet e shkëlqyera me klubin turk tashmë e kanë kthyer në binarë të tjerë karrierën e tij, pasi sipas mediave britanike, ish-futbollisti i Lirisë, shumë shpejtë mund të bëhet lojtar i Tottenhemit, gjithmonë nëse këta të fundit e paguajnë shumën e kërkuar prej 40 milionë eurosh. Me tetë gola në 23 ndeshje, Muriqi njëherit është edhe golashënuesi më i mirë i Kosovës.

Ëndrra është gjallë

Si çdo herë marsi pritet të jetë vendimtar sa i përket të ardhmes sonë. Një kualifikim eventual në EURO 2020 do të ishte statisfaksion në vete, por edhe hapje rrugë për punë më të mëdha në vazhdim, sidomos me ndryshime të shumta te gjeneratat e reja. Kujtojmë se ndeshja e parë përballë Maqedonisë Veriore do të zhvillohet në stadiumin “Todor Proeski” të Shkupit me 26 Mars, derisa finalja, gjithmonë nëse e arrijmë atë, do të zhvillohet ndaj fituesit të duelit Gjeorgj-Bjellorusi, ku me hudhjen e shortit, është caktuar që do të jemi finalistë potencial mysafirë.

/GazetaBlic/

02/28/2020 22:56

Gazeta e madhe gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Albin Kurti po bën gabim të madh