Lajme

Viti i Ushtrisë

01/01/2019 19:04
nga:Q F

Pas 2008ës, vitit historik pavarësisë, ngjashëm historinë e shtetit Kosovës do   shënohet edhe 2018ta.

Kjo për faktin se shteti i formuar më 17 shkurt, 2008, morri jetësimin e plotë në 2018, duke krijuar Ushtrinë.

Pas 10 vjetësh përpjekjesh të dështuara, e premtimeve të parealizuara, viti që mbyllem finalizoi atë që quhet vetëm hapi i parë për një Ushtri.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 14 dhjetor 2018, votuan njëzëri për tri ligje, përmes së cilave Forcës së Sigurisë së Kosovës i jepen kapacitete ushtarake. Në këtë seancë plenare nuk qenë të pranishëm deputetët e Listës Serbe, partisë që përfaqëson në Kuvend komunitetin serbë.

Seanca e 14 dhjetorit, ku u votuan projektligjet për ushtrinë

Pavarësisht mungesës së deputetëve të Listës Serbe, Kuvendi kishte vota të mjaftueshme për të miratuar tri ligjet për Ushtrinë, përkatësisht Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Seanca e 14 dhjetorit, që i gëzoi më së shumti familjet e atyre që dhanë jetën për liri, nisi pikërisht me kujtimin për ta.

Me një minutë heshtje për të nderuar çdo person që ka rënë për liri, nisi dita për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ndonëse emri i FSK-së, as pas këtij votimi nuk ndryshon për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara me 14 dhjetor, i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda 7 deri në 10 vjetësh.

Forca e Sigurisë së Kosovës

Krijimi i ushtrisë u zvarrit gjithë këto vite për shkak emrit që duhej ndërruar e kjo kërkonte ndryshime kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me me votat e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë.

E serbët nuk i thanë kurrë po Ushtrisë së Kosovës.

Kjo bëri që Qeveria që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj të zgjedhë rrugën përmes ligjeve, për ta bërë ushtrinë.

Në retrospektivë, Ushtria e Kosovës ishte përdorur për dhjetë vjet rresht si “karrem” për vota, nga shumë liderë politikë në vend.

Ai që premtoi çdo vit se Kosova do të bëhet me ushtri, ishte ish-kryeministri, tash presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Thaçi, madje, kishte nisur një iniciativë kokë në vete për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur në fillim të vitit 2017, por që dështoi.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, komandanti i FSK-së Rrahman Rama, 14 dhjetor 2018

Thaçi u tërhoq nga iniciativa e tij për të shndërruar FSK-në në Forca të Armatosura përmes një projektligji – të cilin madje e kishte dërguar edhe në Qeveri – pas trysnisë së madhe ndërkombëtare dhe kundërshtimeve të fuqishme nga aleatët, në krye edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, SHBA-ja, përkrahje i dha kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Ramush Haradinajt, në procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri.

Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Philip Kossnet i dha të drejtën Kosovës për bërjen e ushtrisë, në kohën kur një akt të tillë, po e konsideronte si hap jo të mençur Aleanca Veriatlantike e NATO-s.

Philip Kossnet, ambasadori i Amerikës në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kishte deklaruar se në rast që Kosova bënë Ushtrinë, ajo do përballet me pasoja. Ai ishte arsyetuar se nuk është “koha e përshtatshme” që Kosova të ketë ushtrinë e saj.

Pavarësisht kundërshtimit të NATO-s, kryeministri Haradinaj e procedoi pakon e ligjeve për Ushtrinë në Kuvendin e Kosovës.

Procesi i transformimit FSK

Pavarësisht arritjes së shënuar, në miratimin e tri ligjeve, ende ka shumë punë që FSK-ja të bëhet tamam ushtri.

Në periudhën e transformimit, që pritet të zgjasë nga 7 deri në 10 vjet, buxheti i FSK-së pritet të rritet, e po ashtu edhe numri i pjesëtarëve të saj.

Buxheti i ndarë për FSK-në më 2018 ishte 53 milionë euro, ndërkaq në vitet e ardhshme është paraparë që ky buxhet të rritet nga 5 milionë euro çdo vit.

Për vitin 2019, buxheti mendohet të jetë 58 milionë euro. Për vitin 2020 – 61 milionë, kurse për vitin 2021 buxheti do të arrijë në 66 milionë euro.

Ndërsa sa i përket armatimit, Kosova ka marrë dhuratë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 24 makina ushtarake HUWAI.

24 HUWAI, automjete ushtarake që Amerika i dhuroi Kosovës në ditën e ushtrisë

Përveç kësaj dhurate nga SHBA-ja, FSK-ja pritet të pajiset edhe me armatim të ri. Megjithatë, Ushtria e Kosovës është paraparë që kalibrin më të madh të armatimit të ketë topat deri më 105 milimetra, minahedhës deri 120 milimetra, mbrojtje kundërajrore, helikopterë dhe të gjithë armatimin nën këtë kalibër.

Te sfida e fundit, por jo më pak e rëndësishme, e që është numri i ushtarëve, shpresat janë më të mdha.

FSK-ja aktualisht numëron 2500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë.

Por ky numër pritet të dyfishohet pas ndërrimit të mandatit.

Më mandatin e ri parashihet që Ushtria e Kosovës të ketë 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 pjesëtarë rezervë.

Forca e Sigurisë së Kosovës

Për të krijuar Ushtrinë e saj, Kosovës iu desht të kalojë nëpër disa faza. Pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, në marrëveshje me NATO-in ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca.

Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Rrjedhimisht, Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në vitin 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s.

  1. Pikërisht për shkak të kaq shumë përpjekjesh, vite me premtime për ushtri por pa realizim, deri nedhjetorin e 2018-ës, GazetaBlic e vlerëson ushtrinë si suksesin e vitit 2018.

/GazetaBlic/

 

02/22/2019 07:35

Mbi 1mijë persona aplikuan brenda një ditë për FSK