Lajme

Viti i ri shkollor në Evropë po varet nga virusi Korona

08/31/2020 21:52
nga:Sh Xh

Evropa pritet të hapë shkollat javën e parë të shtatorit. Por për shkak të pandemisë së koronavirusit zhvillimi i mësimit do të varet nga numri i rasteve të reja të infektimit.

Prej javësh, numri i të prekurve me Covid19 është rritur në Francë, Spanjë dhe Itali dhe nëse gjendja del jashtë kontrollit, shkollat mund të mbyllen sërish.

Mësuesit në Francë kanë filluar përgatitjet për vitin e ri shkollor, ku maska do të jetë e detyrueshme në klasë për të gjithë nxënësit 11-vjeç e sipër.

Autoritetet franceze janë duke u ndeshur me rritjen e numrit të infektimeve, ku vetëm të dielën u regjistruan 5,413 raste të reja pozitive. Fëmijëve do t’ju kërkohet të mbajnë maskën edhe gjatë qëndrimit në klasë.

Anne Lepeltier, që jep mësim në shkollën e mesme Jean Renoir të Parisit, tha se janë vërejtur mangësi tek nxënësit në pjesën e dytë të vitit të kaluar, ndërsa izolimi i pengoi shumë të fokusohen tek mësimi, transmeton oranews.

“Sfida më e madhe është boshllëku që ka shkaktuar izolimi dhe rikuperimi i programit. Një pjesë e nxënësve u kthyen për përfundimin e vitit shkollor, por një pjesë nuk mundi,” thotë ajo.

Drejtori i shkollës Aristide Adeikalam shprehet i lumtur që nxënësit do të kthehen në banka, por nuk përjashton mbylljen e shkollës nëse përhapja e virusit del jashtë kontrollit.

“Nëse virusi përhapet me shpejtësi, do të na duhet t’i ndajmë klasat. Dhe nëse gjendja përkeqësohet do të na duhet ta mbyllim shkollën,” thotë ai.

Shkollat janë duke marrë masa shtesë, duke filluar nga matja ditore e temperaturës.

Masa të ngjashme janë duke u marrë edhe në Spanjë, ku viti i ri shkollor fillon javën e parë të shtatorit.

Disa rajone e kanë shtyrë, fillimin e vitit shkollor dhe vendimmarrja për hapjen e shkollave do të varet nga përhapja e virusit.

Organizimi i vitit shkollor në siguri të plotë në Itali përballë rrezikut të infektimit nga koronavirusi është prioritet i qeverisë italiane.

Pavarësisht masave të premtuara, rikthimi zhvillohet nën tension dhe në një klimë pasigurie tek prindërit e nxënësve, ndërkohë që vendi është ndeshur javët e fundit me një rishfaqje të infektimeve, veçanërisht mes të rinjve.

10/19/2020 08:30

​Si mund të ndikojë pandemia e koronavirusit në grip? Ekzistojnë dy skenarë