Kryeministri i vendit, Albin Kurti fjalën që e ka përdorur më së shumti përgjatë vitit 2023, ka qenë “lufta” e mundshme me Serbinë, shkruan Gazeta Blic.
Ai në secilën konferencë për media, në secilën intervistë për mediat e huaja, e ka përmendur mundësinë e një lufte me Serbinë.
Ai në vazhdimësi ka paralajmëruar se shteti fqinj- Serbia në çdo moment mund ta sulmoj shtetin e Kosovës.
Sidomos, pas rastit të Banjskës, ku më 24 shtator të këtij viti një grup terrorist serb- në krye me Milan Rdojçiqin, i futur në listë nga SHBA-ja, kryeministri vazhdimisht ka ngritur alarmin për sulme të reja.
Edhe këtë vikend, ai së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thanë se Radojçiq po përgatit sulme të reja në Kosovë.
Kryeministri Kurti: Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës
Kurti, edhe pse nuk ka dhënë dëshmi, tha se sulmet e reja po përgatiten nga pjesëtarët e grupit që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Ndërkohë, njohësit e ekonomisë po vlerësojnë se deklaratat e tilla i shkaktojnë dëme shumë të mëdha vendit.
Sipas tyre, këto deklarata i trembin investitorët e huaj, duke goditur ekonominë e vendit.
Mëgjithatë, nga partia e Kurtit thonë se investitorët nuk duhet të shohin rrezik.
“Në kohë të ndjeshme si kjo, ku ‘paralajmërimet’ e Kryeministrit Kurti lidhen me mundësinë e sulmeve nga Serbia, situata bëhet edhe më komplekse duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në Serbi, tentativat për puç pas zgjedhjeve dhe takimet e vazhdueshme të presidentit Vuçiç me ambasadorët rusë, që janë indikator shqetësues”, thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic.
Sipas deputetit, paralajmërimet janë thirrje për maturi e qetësi.
Paralajmërimet për sulme nga Serbia/ Agusholli: Investitorët nuk duhet të shohin rrezik potencial
“Ndërkaq, paralajmërimet, siç po i quani ju, që disa mund t’i perceptojnë si shenja të pasigurisë, unë mendoj që janë thirrje për maturi dhe qetësi në kohë të vështira”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Agusholli, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Ekonomi, investitorët nuk duhet të shohin rrezik potencial nga sulmet, derisa dihen raportet e mira me SHBA-të.
“Sa i përket investitorëve të huaj, përkundër këtyre zhvillimeve, ata kanë analizuar situatën e sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë para investimit. Ndaj, nuk duhet të shohin një rrezik potencial nga sulmet, veçanërisht duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe me shumicën e shteteve që janë anëtare të NATO-s”, deklaron deputeti.
Nga opozita e kritikojnë Kurtin dhe qasjen e tij, në lidhje me ndonjë sulm nga Serbia.
“”Kjo Qeveri ka pasur mundësinë që ta arrestojë Radoiçiqin, por nuk e kanë bërë dhe tani e shpallin si të rrezikshëm”, ka theksuar për Gazeta Blic, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Analisti politik, Fidan Ukaj në një prononcim për GazetaBlic thotë se paralajmërimet për destabilizim të situatës në vend, po i bëjnë dëm Kosovës.
Ai ka thënë se nga kjo po dëmtohet edhe çështja e investimeve në Kosovë.
“Paralajmërimet për destabilizim mendoj se po i bëjnë dëm imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare e po ashtu po i atakojnë investimet eventuale në Kosovë”, ka thënë Ukaj.
Sipas analistit gjasat për të pasur një konflikt në mes Kosovës dhe Serbisë janë shumë të ulëta.
Ndërkohë, fillimi i implementimit të Asociacionit, shihet si “nyja” për zgjidhjen e problemit në veri.
Ndërkombëtarët po bëjnë presion për zbatimin sa më të shpejtë të Asociacionit, derisa Kosova tashmë e ka marrë edhe draft- statutin, i cili është përgatitur nga ana e Bashkimit Evropian.
Viti 2024, pritet të jetë viti vendimtar për fillimin e implamentimit të Asociacionit, derisa në fund të vitit pritet që të nis parafushata elektorale, për faktin se zgjedhjet e reja, nëse nuk do të ketë të parakohshme, pritet të mbahen në fillim të vitit 2025./ Gazeta Blic
Haliti: Sveçla ia ka marrë kompetencat drejtorit të AKI-së dhe po flet në emër të tij