Dardan Çaka është prej vitesh në mesin e gjyqtarëve më të mirë të futbollit kosovar.
Si një gjyqtar autoritativ në fushë dhe shumë profesionist, Çaka ka drejtuar një numër të madh të ndeshjeve në futbollin tonë dhe gëzon respektin e përgjithshëm të komunitetit sportiv.
Gjyqtari nga Vushtrria kishte fituar epitetin e më të mirit në vitin 2021 nga Federata e Futbollit të Kosovës, por çuditërisht ai vazhdon të mos jetë i pajisur me stemën e FIFA-s, pavarësisht punës së tij të madhe në vazhdimësi.
Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, Dardan Çaka ka kujtuar vitin 2023, ku tha se ishte një vit progresiv në aspektin e zgjerimit të profesionalizmit, si me referimin e tij në ndeshje e ashtu edhe me seminaret që ka përfunduar.
“Në aspektin personal dhe kolegial ka qenë një vit i suksesshëm, kemi marrë pjesë në disa ndeshje të rëndësishme në kompeticione europiane. Gjithashtu gjatë vitit kam ndjekur disa seminare online për VAR të organizuara nga UEFA dhe në të ardhmen e afërt pres të angazhohem si i tillë edhe në ndeshje ndërkombëtare. Jam i kënaqur me formën dhe paraqitjet edhe në kampionatin vendor, marrë ne përgjithësi, ka qenë një vit me shumë angazhime dhe suksese“, tha fillimisht Çaka.
Tutje, ai ka rrëfyer edhe një moment shumë të mirë dhe pozitiv që i ka ndodhur gjatë vitit 2023, duke treguar se si një fëmijë e kishte pritur për ta takuar, pas ndeshjes Gjilani – Ballkani, madje i kishte dhënë një përqafim që nuk do ta harrojë kurrë.
“Një ngjarje e mirë që nuk do ta harroj kurrë është se pas ndeshjes së fundit të vitit mes Gjilanit dhe Ballkanit, jashtë stadiumit një fëmijë më priste të më takonte, i bëra një dhuratë të vogël simbolike nga referimi dhe një përqafim i tij do të mbetet si një nga kujtimet më të mira të vitit 2023“, tregoi me emocione Çaka.
Megjithatë, kur puna e mirë nuk merr shpërblimin e merituar, zhgënjimi është evident. Nuk mund të ishte ndryshe tek rasti i gjyqtarit Çaka, i cili me vendosmëri dhe profesionalizëm ka punuar gjithë këto vite, por që fatkeqësisht nuk e ka ende stemën e FIFA-s, madje ai nuk është në mesin e të deleguarëve as për vitin 2024.
“Një ngjarje shumë interesante (negative) mund të veçoj që përsëri nuk jam nominuar për stemë si gjyqtar kryesor në FIFA, është e habitshme se si ende nuk e kam atë që meritoj prej disa vitesh, por do të vazhdoj të punoj duke shpresuar për meritokraci në të ardhmen e afërt. Duhet vlerësuar korrektësia, mundi dhe vazhdimësia profesionale dhe jo e kundërta“, deklaroi Çaka.
Krejt në fund, ai tha se do të vazhdojë punën me motivin e njëjtë, kurse pati edhe një urim për vitin e ri.
“Pritshmeritë janë nga viti në vit të ngritim nivelin e performancës, të vazhdoj me punë dhe përkushtim, dhe të gjithëve që si parim dhe kulturë në jetë e kanë drejtësinë i’u uroj një vit të mbarë dhe me shumë suksese“, përfundoi me intervistën e tij Çaka.
/GazetaBlic Sport/