Analisti politik, Visar Ymeri ka theksuar se kryeministri Kurti ka filluar të ndryshoj mendjen për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
“Duket që Kryeministri Kurti është duke ndryshuar mendjen krahasuar me JO-në e tij të prerë karshi referendumit”, tha ai për Gazeta Blic, referuar deklaratës së shefit të Qeverisë që tha se bashkë me vendet e QUINT-it po kërkojnë gjetjen e një modeli për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
“Duket se Kryeministri i Kosovës ka kërkesë të vazhdueshme ta trajtojë me seriozitet këtë çështje, veçanërisht nga zyrtarët e Departmentit të Shtetit Amerikan. Këto kërkesa duhen marrë seriozisht. Kur u ndalua hapja e vendvotimeve për Referendumin e Serbisë, kishte kërkesë të menjëhershme që të arrihet një marrëveshje e cila do ta ravijëzonte një zgjidhje të qëndrueshme për këtë çështje”, tha Ymeri për Gazeta Blic.
Sipas tij, deklarimi i sotëm i Kryeministrit Kurti shkon më shumë në këtë drejtim, pra drejt arritjes së një marrëveshjeje për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Konsideroj se një marrëveshje e tillë do të ishte e domosdoshme. Por kjo marrëveshje do të duhej ta adresonte edhe mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, për t’ua mundësuar shtetasve të Kosovës që kanë edhe shtetësi të Serbisë ta realizojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në votim, por edhe mënyrën sesi organizohen zgjedhjet e Kosovës në territorin e Serbisë. Kjo e dyta është tejet e rëndësishme meqë e ndikon drejtpërdrejt cilësinë e procesit tonë zgjedhor dhe veçanërisht pluralitetin politik të komunitetit serb”, thotë ai.
Një marrëveshje e tillë për zgjedhje, mirëpo edhe më shumë një marrëveshje ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Ymerit po bëhet edhe më e rëndësishme dhe e nevojshme tash në kohën e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe rrezikun që kjo mund të bartë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Mendoj që Kosova duhet të jetë faktor paqeje në rajon”, vlerëson ai.
“Duket që Kryeministri Kurti është duke ndryshuar mendjen krahasuar me JO-në e tij të prerë karshi referendumit. Tash në deklarimet e tij lexohet një gadishmëri për marrëveshje dhe lejesë të mbajtjes së zgjedhjeve përbrenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dhe kjo është mirë. Aq më tepër që bllokimi i zgjedhjeve të Serbisë do të përdorej nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ta bartë te Kosova presionin perëndimor që pritet ndaj tij pas 3 prillit, duke e përdorur si argument për ta paraqitur Kosovën si ‘destabilizuese’ të rajonit dhe veten si faktor stabilizues e vektor paqeje”, përfundon për Gazeta Blic, ish- themeluesi i VV-së, Visar Ymeri.
Ndryshe, Serbia pritet t’i mbajë zgjedhjet në prill, më saktësisht më 3 prill.
Në vazhdim e gjeni deklaratën e kryeministrit Kurti në lidhje me kēto zgjedhje: