Lajme

Vettingu i 2010, sa prokurorë e gjyqtarë s’kaluan – Çka ndodhi me ta? Çka përfshin Vettingu i ri- Gazeta Blic sjell detaje

10/26/2021 13:13
nga:N M

Në kohën kur Ministria e Drejtësisë po shtyn përpara procesin e Vettingut, e që me këtë proces do të “shoshiten” prokurorët e gjyqtarët e sistemit të drejtësisë në Kosovë, par më shumë se një dekade në Kosovë kishte ndodhur një proces i tillë.

Gazeta Blic në vazhdim do të sjell detaje se si kishte ndodhur ky proces, kush ishte organi që kishte filtruar prokurorët e gjyqtarët dhe se cila ishte përbërja e këtij trupi.

Gjatë vitit 2008, përmes një memorandumi të bashkëpunimit në atë kohë mes Komisionit Evropian, Ambasadës Amerikane dhe UNMIK-ut , ishte themeluar Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial (KPGJP) si një organ i pavarur i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i mbikëqyrur kryesisht nga partnerët ndërkombëtare.

Anëtarët ndërkombëtarë të cilët fillimisht kanë qenë të përfshirë në komision ishin nga Gjermania, Italia, Franca, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Procesi i Vettingut kishte nisur në vitin 2008 dhe kishte përfunduar përafërsisht pas dy viteve, saktësisht në vitin 2010.

Asokohe Vettinug ishte organizuar në tri faza të njëpasnjëshme.

Por cila ishte Gjykata dhe gjyqtarët e saj që i ishin nënshtruar procesit të vettingut në fazën e parë ?

Faza e parë ka qenë e fokusuar në verifikimin dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve për Gjykatën Supreme dhe përzgjedhjen e prokurorëve për Prokurorinë e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale.

Përzgjedhja dhe verifikimi i gjyqtarëve në Gjykatën e Qarkut, Gjykatën Ekonomike, Gjykatën e Lartë për Kundërvajtje dhe Prokurorit e Qarkut.

Krejt këta ishin përfshirë në fazën e dytë të verifikimit.

Por çfarë ka ndodhur në fazën e tretë dhe më të rëndësishmen dhe sa prokurorë e gjyqtar nuk kaluan procesin e Vettingut?

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dhënë detaje interesante për Gazeta Blic.

Sipas tij, edhe pse në fazën e tretë disa prokurorë e gjyqtarë nuk kanë kaluar verifikimin për arsye të ndryshme, disa prokurorë pak vite më vonë sërish u rikthyen në vendet e tyre të punës.

Ai ka thënë se faza e tretë ka qenë e përqendruar në verifikimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve komunal.

“Në përgjithësi, prej 372 pozitave gjyqësore të shpallura, 274 gjyqtarë janë emëruar, kurse 98 gjykatës kanë dështuar të kalojnë kodin e etikës apo kanë dështuar në integritet”, ka thënë Ehat Mifatr nga IKD për Gazeta Blic.

Por sa prokurorë asokohe nuk arritën ta kalojnë procesin e verifikimit.

Edhe këtu statistikat janë interesante.

“Kurse, prej 89 pozitave prokuroriale të shpallura, janë emëruar 60 prokurorë, ose kanë dështuar në vetting 29 prokurorë”, ka thënë Miftaraj.

Me gjyqtarët që nuk e kishin kaluara procesin e verfikimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kurrë nuk kishte marrë mundin që ata që kishin rënë në “shoshitje” të rikthehen sërish në vendet e tyre që kishin pasur, për dallim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“KGJK pas vitit 2010 ka qenë e kujdesshme duke mos kthyer në punë gjykatësit që kishin dështuar në këtë Vetting. E kundërrta ka ndodhur me Këshillin Prokurorial të Kosovës. Pas vitit 2015, numër i caktuar i prokurorëve që kishin dështuar në Vettingut e vitit 2009, janë kthyer dhe janë emëruar prokuror të shtetit”, ka thënë Ehat Miftaraj.

Krejt se në çfarë faze ndodhet procesi i vettingut në Kosovë është një koncept dokument i miratuar në Qeverinë e Kosovës dhe një model potencialisht i marrë nga Shqipëria për këtë proces.

Për dallim nga vitet 2008 – 2010 kur procesi i vettingut kishte zgjatur vetëm dy vjet, ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se verifikimi do të zgjas në një afat optimal prej pesë vitesh.

I cilësuar si top prioritet i ministrisë që drejton, Haxhiu ka treguar se kush do të përfshihet në procesin e Vettingut.

“Që nga dita e parë që kemi marrë mandatin në Ministrinë e Drejtësisë, jemi aktivizuar dhe kemi konsideruar top-prioritet kompletimin e këtij dokumenti, i cili ka të bëjë me Vettingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial si dhe Vettingun ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, si subjekte të Vettingut në këtë rast. Do të fillohet me strukturën më të lartë hierarkike në gjyqësor dhe prokurori, për ta përfunduar ndaj të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të sistemit në një afat optimal prej 5 viteve” kishte thënë ministrja Albulena Haxhiu.

Ky proces i nisur kështu është kundërshtuar ashpër nga Komisioni Evropian në raportin e fundit të vitit 2021 për Kosovën.

Në raport vlerësohet se sa i përket disa opsioneve që qeveria Kurti ka propozuar lidhur me procesin e vetting-ut siç është rivlerësim i plotë dhe i menjëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz.

“Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, thuhet në raportin e KE.

Ndërkohë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk është pajtuar me kritikat që i ka bërë Komisioni Evropian sa i përket këtij procesi.

Ajo në një konferencë për media kishte deklaruar se nuk pajtohet me konstatimin e KE se rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet shqetësim serioz.

“Mosrealizimi i vetting-ut nuk u kontribuon as përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për garantimin e sundimit të ligjit dhe as së ardhmes evropiane të vendit tonë”, kishte thënë Osmani.

Ehat Miftaraj nga IKD thotë se procesi i Vettingut nuk ka alternativë në Kosovë dhe i njëjti duhet të jetë top prioritet për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

“MD ka dështuar që përmes fakteve, përmes një diskutimi dhe dialogu konstruktiv të bind partnerët ndërkombëtarë për rëndësinë e këtij procesi. Procesi i Vettingut sikurse e ka propozuar edhe IKD duhet të udhëhiqet nga ekspertë ndërkombëtarë nga SHBA, UK dhe Gjermania, për të siguruar integritetin, kredibilitetin dhe besueshmerinë e këtij procesi’, ka thënë Miftaraj për Gazeta Blic.

Albulena Haxhiu: Do ta provojmë Vettingun përmes ndryshimeve Kushtetuese, nëse s’mundemi kalojmë në planin B

Vjosa Osmani s’pajtohet me raportin e KE-së për Vetingun: Ai jo vetëm që është i rëndësishëm, por edhe i domosdoshëm