Opinion

Veton Surroi letër: Isa Mustafës, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt

03/24/2020 01:58
nga:Veton Surroi

Të nderuar Isa Mustafa,Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj,

Shkruan: Veton Surroi

Po ju adresohem me lutje që ta ndihmoni ruajtjen e qetësisë në vend dhe të sigurisë e shëndetit të qytetarëve të këtij vendi.

Keni shprehur si liderë politik kundërshtim ndaj masave të Qeverisë së vendit për kufizimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve. Kam mendim të kundërt me intepretimin tuaj, por kjo nuk është me rëndësi parësore.

Me rëndësi parësore është që të mos ketë dy urdhëra institucionalë , një nga Qeveria dhe tjetri nga Presidenti që bëri thirrje për insubordinim. Ju lus që sonte t’i lajmëroheni sërish publikut dhe ithtarëve tuaj që të mos kenë kurrfarë dileme për sa i përket vendimit të Qeverisë dhe të kontribuoni bashkimit të të gjithëve për një qëllim.

Lutja ime është e thjeshtë: të kërkoni zbatimin e përpiktë të vendimit të Qeverisë deri sa të merret një vendim tjetër.

Vendimi tjetër duhet të jetë ose i Qeverisë ose si vendim pezullimi nga ana e Gjykatës kushtetuese.

Qytetarët, mjekët, policët, pjesëtarët e FSK-së- që të gjithë duhet ta marrin një dhe vetëm një porosi të unifikuar nga të gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të vendit.