Lajme

“Vetëvendosje të distancohet nga deklarata e Sali Zybës dhe të kërkojë falje”

10/09/2019 11:39
nga:Y I

Gjatë ditës së djeshme kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Sali Zyba, ka kërcënuar publikisht kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti.

Zyba në shkrimin  e tij në rrjetin social Facebook shkruan se tash e tutje Shpend Ahmeti duhet ta zgjedhë vendin ku do të jetojë njëjtë si Xhabir Zharku.

“Pas fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pyetja më e shpeshtë që po më bëhet është: a më shumë ke vota ti a Shpend Ahmeti. I sigurtë jam që Shpendi përveç që nuk do të jetë deputet, nuk do të jetë as kryetar komune. E vendin ku do të jetojë ka të drejtë ta zgjedhë si Xhabir Zharku” shkruan Zyba në rrjetin social Facebook.

E kjo deklaratë ka sjellë reagime të ashpra në opinionin publik.

Arton Demhasaj Drejtor ekzekutiv i Organizatës “Çohu”në një prononcim për Gazeta Blic  e cilëson si shumë të gabuar këtë deklaratë dhe thekson se Lëvizja Vetëvendosje duhet të distancohet nga deklarata të tilla dhe të kërkojë falje.

“Kjo ka qenë një deklaratë e gabuar dhe mendoj që Vetëvendosja duhet të distancohet nga një deklaratë e tillë, pasi ekziston një lloj kërcënimi në atë deklaratë që I bëhet kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit. Krahasimi i kryetarit të Prishtinës me ish-kryetarin e Kaçanikut i cili ka qenë I akuzuar dhe dënuar për vepra penale nuk qëndrojnë dhe nuk mund të krahasohen dhe si e tillë Lëvizja Vetëvendosje duhet të distancohet nga deklarata të tilla dhe të kërkojë falje ” ka theksuar Demhasaj.

Gjithashtu edhe njohësi i çështjeve politike Krenar Shala ka kërkuar nga Sali Zyba që të tërhiqet sa më shpejt nga deklarata të tilla.

“E di që ndoshta të ka ardhë prej emocioneve, veq e di poashtu që kjo deklaratë është e papranushme edhe shej e dobsisë e ligësisë hakëmarrëse. Nuk vendos ti kurgjo për Shpendin as për Hajdarin. Është populli që vendos se kush e ka vendin ku dhe jonë institucionet e drejtësisë ato që vendosin për fatin fizik të njerëzve” thekson Shala.

Ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti  i pyetur për këtë kërcënim ka thënë se nuk e ka dëgjuar, por e ka quajtur këtë gjuhë si liri të shprehjes./Gazeta Blic/