Lajme

Vetëvendosje nuk tërhiqet: Tash edhe Rexhep Selimi thotë se mund të shkarkohet Thaçi, për faktin se e fshehi një marrëveshje

02/27/2020 00:21
nga:Gazeta Blic

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se po mundohen të kristalizojnë ndërmarrjen e presidentit Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës.

Ai thotë se shkarkimi i presidentit Thaçi mund të vijë si pasojë e fshehjes së një marrëveshje ndërkombëtare.

Kurti sot ka publikuar një marrëveshje të vitit 2013 ndërmjet Thaçit dhe NATO-n, me të cilën pretendon se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese që në emër të Kosovës e barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Paralajmërohet inicimi i procedurës për shkarkimin e Thaçit
“Shkarkimi i presidentit mund të vijë si pasojë e kësaj, por lajmi ka nisur me publikimin e një marrëveshje të Thaçit, i cili s’ka të bëjë me materien e marrëveshjes por ka të bëjë me arsyen se pse është dashur të mbahej një raport kaq i rëndësishëm sekret. Është folur por nuk është publikuar. Asnjëherë ky dokument nuk i është dorëzuar në mënyrë zyrtare Kuvendit dhe kryeministri sot thjesht i ka njoftuar deputetët për materien e saj”, ka thënë Selimi.

Ai thotë se Kurti sot nuk është deklaruar pro ose kundër kësaj marrëveshje, por ka folur vtëm për mos transparencën e Thaçit për një marrëveshje ndërkombëtare e cila do të duhej të sillej para deputetëve.

Sipas Selimit presidenti aktual ka shkelur tre ligje me anë të atij veprimi.

“Nuk kemi të bëjmë kundër ose për marrëveshjes, por shprehim shqetësimin për mbajtjen sekret të një marrëveshje të tillë ndërkombëtare. Edhe letërkëmbimi duhet të sillet në parlament. Presidentja Jahjaga e pat sjellë një letërkëmbim që ka pasur të bëjë me Gjykatën Speciale dhe ajo ishte votuar. Me këtë veprim të Thaçit janë shkelur tre ligje. Nuk lejojmë askënd të na keqinterpretojë rreth këtij publikimi”, u shpreh Selimi.

Hashim Thaçi nga Amerika i reagon Albin Kurtit

Ai ka shtuar se kjo marrëveshje nuk është gjetur fare në arkivin e Qeverisë.

“Nëse është letërkëmbim i mirë pse është dashur të mbahej sekret dhe nuk i është dorëzuar as kryeministrave të tjerë. Nuk është gjetur në arkivin e Qeverisë apo të ndonjë institucioni. Nëse është aq e mirë nuk do të duhej të mbahej e fshehtë. Raporti me NATO-n është i vazhdueshëm dhe i nevojshëm dhe duke qenë i tillë FSK-ja nuk ka dalë jashtë mbikëqyrjes së KFOR-it. Krejt çfarë ka bërë Kurti është se i ka dorëzuar kryeparlamentares. Duke e kuptuar që Kuvendi ka të drejtë të njoftohet dhe nuk është njoftuar tash e shtatë vite dhe duke e ditur që mos informimi për ta paraqet shkelje mund të ketë nisma të tjera për t’iu drejtuar Kushtetueses për shkeljet që ka bërë ish-kryeministri i Kosovës (Thaçi) dhe mund të vjen deri te shkarkimi i Presidentit”, ka thënë Selimi.

Sipas tij Vetëvendosje s’ka kërkuar asgjë jashtë procedurave për shkarkimin e Thaçit.

“As ne s’kemi kërkuar asgjë jashtë kësaj procedure ku parashihet shkarkimi i presidentit, nëse Kushtetuesja e përcakton se ai ose ajo ka bërë shkelje të Kushtetutës. Kur 1/3 e deputetëve e nënshkruajnë një peticion ku shpjegon arsyet për shkarkimin. Si dhe kur presidenti ka bërë ndonjë krim të rëndë. Vet hapja e temës për shkëmbim territoresh është shkelje e Kushtetutës e mbetur në tentativë”, u shpreh Selimi.

Sipas tij Thaçi e ka kuptuar se nuk është president i të gjithëve, dhe nuk garanton unitet të partive politike dhe nuk ka arritur t’i përfaqësojë ashtu siç duhet.

Ai beson se do të kenë mbështetjen edhe të partive të tjera për të mbledhur nënshkrimet që këtë çështje ta dërgojnë në Kushtetuese.

“Në këtë rast duhet ta dërgojnë deputetët, dhe ne si Lëvizje i kemi nënshkrimet dhe janë të mjaftueshme 30 nënshkrime por nuk besoj se do të jemi vetëm, por presim edhe të tjerët të na bashkohen pasi është e nevojshme që në Kushtetuese të bëhet edhe argumentimi dhe fatkeqësisht ka mjaftueshëm argumente. Nesër e tutje presim qëndrimet e subjekteve të tjera politike. Nga partnerët e koalicionit kanë folur dy prej nesh, Kurti e Osmani. Edhe shkeljet e tjera do t’i publikojmë dhe sot kemi bërë transparencë duke i njoftuar deputetët që kanë të drejtë të njoftohen për të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Selimi thekson se Thaçi është politikan i rrezikshëm.

“Nuk është politikan i keq por i rrezikshëm, ai ka rrezikuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ne do të duhej të ishim më të alarmuar se kë e kemi në krye të shtetit”, ka thënë ai.

Deklaratat e krerëve të opozitës ai i ka cilësuar si të pasakta.

“Të tretë që janë deklaruar sot kanë qenë të pasaktë. PDK-ja kur thotë se kemi problem me NATO-n, për hir të transparencës ne nuk themi se kemi probleme me NATO-n pasi pa një bashkëpunim me të nuk do të ishim këtu. Haradinaj gjithashtu kur thotë se nga momenti i Ligjit për Ushtrinë kjo marrëveshje ka rënë, pasi një marrëveshje ndërkombëtare është superiore ndaj ligjeve. Por, nuk kam parë që gjatë mandatit të tij FSK-ja të bëjë ndonjë veprim në veri të Kosovës. Limaj po na nxjerr në një nivel ku nuk do të doja të komunikonim. Nuk janë të njëjtë, as përafërsisht të njëjtë (Kurti e Thaçi). Madje as me Limajn nuk është i njëjtë”, u shpreh Selimi.

Ai thekson se duhet të shkohet rasti në Kushtetuese dhe më pas të presin një vendim, derisa shton se po mundohen të kristalizojnë ndërmarrjet e presidentit për ndarjen e Kosovës.

“Normalisht që po mundohemi ta kristalizojmë ndërmarrjen e Thaçit për ndarjen e Kosovës. Prandaj, edhe atëherë edhe tash i po vazhdon të jetë i rrezikshëm për territorin e Kosovës. Kurti po bënë mirë që po kërkon bashkëpunim me të, pasi dy institucionet duhet të kenë bashkëpunime dhe ato nuk duhet të jetë kundër njëra-tjetrës”, ka thënë Selimi.

Sipas Thaçi ngutet pasi vepron kundër interesave të Kosovës.

“Ai mund ta nënshkruajë marrëveshjen, ai mund të jetë një hap para Kosovës është hap për t’i ikur interesit të Kosovës për ta nxjerrë në një situatë të pakthyeshme që mund të jetë në disfavor. Kështu është munduar të ngutet edhe në rastin e idesë së tij të çmendur për shkëmbim territoresh. Secila marrëveshje ndërkombëtare do të ketë ballafaqim me parlamentin e Kosovës. Kushdo që bisedon me Qeverinë duhet të ketë mandatin e qytetarëve të Kosovës dhe sot këtë e ka kryeministri Kurti. Thaçi po tenton të ngutet të veprojë edhe shpejtë, edhe lehtë edhe keq”, ka thënë Selimi.

04/02/2020 14:01

​Thaçi flet për hapat që do të ndërmarrë pas rrëzimit të Qeverisë Kurti