Lajme

Vetëvendosje i përgjigjet LDK-së: Harrojeni postin e kryetarit të Kuvendit

01/07/2020 00:12
nga:Gazeta Blic

E nominuara për ministre të Drejtësisë në qeverinë e re, Albulena Haxhiu e LVV-së, ka thënë se ministritë mes LVV-së dhe LDK-së janë ndarë kohë më parë.

Në interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se meqenëse jemi pajtuar që LDK-ja të zgjedh e para për ministritë, atëherë ata kanë zgjedhur MPB-në, ndonëse, siç tha ajo, kemi pritur se do ta zgjedhin ministrinë e Financave.

“Për çështjen e ministrive, ka qenë insistimi i LDK-së që të zgjedhin të parët. Unë kam menduar se do ta zgjedhin ministrinë e Financave. Ministritë janë ndarë në takimin e parë apo të dytë të kryetarëve të partive. Neve na kanë takuar këto që u përmendën sot nga Kurti. Por, asnjëherë s’më ka shkuar mendja se LDK-ja do ta zgjedh MPB-në. Ne e kemi përmendur edhe para zgjedhjeve që duam ta udhëheqim MPB-në. VV ka qenë kundër që të përfshihet çështja e presidentit. Por, ju kemi thënë se nëse insistoni me çdo kusht për presidentin, atëherë ministrinë e Financave do ta marrim ne. Presidenti është personalitet. LVV-ja asnjëherë s’e ka kërkuar postin e presidentit. Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, Kryesia, anëtarësia e jonë, edhe për kandidatin e VV-së nuk do të pranonte të jepte votat bllanko për presidentin e propozuar nga ne, ashtu siç ka kërkuar LDK-ja nga ne”, u shpreh Haxhiu.

Duke folur për seancën e 26 dhjetorit, kur u zgjodh Glauk Konjufca kryetar i Kuvendit, tha se ka pasur kërkesë nga deputetja e zgjedhur e LDK-së, Vjosa Osmani, që të mos vazhdohet me propozimin e kryetarit të Kuvendit në këtë seancë. Por ka thënë se në këmbim të kësaj, nuk ka ofruar asgjë konkrete.

“Osmani ka thënë se ka kërkuar nga VV-ja, nga Besnik Bislimi, gjatë pauzës së seancës konstituive, që të mos e bëjnë propozimin për kryetar të Kuvendit. Por, Bislimi i ka thënë: ‘Mirë, a mund të na japësh garancë se nëse e shtyjmë këtë, do të kemi marrëveshje?’ Ajo i ka thënë se ‘jo’! Është shans me peshë historike, dhe LDK-ja duhet të vendosë, ose të bëjë koalicion me LVV-në, ose të zgjedh bllokimin e këtij ndryshimi”, deklaroi më tej ajo.

Tutje, Haxhiu tha se s’ka pasur më takime, ndonëse Kurti ka insistuar të takohet me Mustafën vazhdimisht.

“Nuk ka pasur qeveri të kaluar që i ka bërë të ditur propozimet për ministra siç ka bërë LVV-ja. Ia kemi hapur kështu rrugën LDK-së që ta bëjë të njëjtën. Ka pasur tentime që Kurti ta takojë Mustafën, por s’ka pasur sukses”.

Ajo tha se Konjufca nuk do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit, pavarësisht gjithçkaje.

“Çështja e kryeparlamentarit është çështje e kryer. Ai s’do të japë dorëheqje. E kemi pritur LDK-në 81 ditë dhe s’ka pasur lëvizje. Madje, për çështjen e kryeparlamentarit s’kanë shfaqur interes sa kanë shfaqur për Presidentin dhe MPB-në”, ka thënë Haxhiu.

02/28/2020 13:49

Albin Kurti ndau 15 milionë euro për të paguar rrymën e serbëve në veri, vjen reagimi i deputetes së AAK-së