Lajme

Vetëvendosje i kthen përgjigje LDK-së: Nuk ka kthim para 26 dhjetorit

01/15/2020 20:31
nga:Gazeta Blic

Lëvizja Vetëvendosje i ka kthyer indirekt përgjigje LDK-së, për ofertën e fundit, shkruan Gazeta Blic.

Nga kjo parti kanë theksuar se nuk do të ketë kthim para datēs 26 dhjetor kur Glauk Konjufca u zgjish kryetar Kuvendi.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në Rubikon të KTV-së, ka theksuar se nuk ka kthim prapa.

“Ne nuk mund të kthehemi as para 6 tetorit, as para 26 dhjetorit. Për ne ishte e papranueshme qasja e tillë dhe rrjedhimisht nuk kemi pranuar të përzihej çështja e presidentit. Kanë qenë rrethana të tjera para zgjedhjeve. U përfshi çështja e presidentit atëherë sepse ne menduam një mandat tetëvjeçar. Sot po flasim për katërvjeçar. S’mund të flasim për situata para 6 tetorit”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se arsye tjetër pse VV-ja ka refuzuar përfshirjen e postit të presidentit në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishte se nuk mund “të jepeshin votat bllanko pa ditur një kandidat”.

Ndërsa deputet i Vetëvendosjes, Liburn Aliu ka thënë se kjo parti nuk është kundër që propozimi për president të jetë nga radhët e LDK-së. Megjithatë, ai ka thënë se atyre u duhet një emër para se të japin premtimin se do ta votojnë.

“Për neve ka qenë normale që propozimi të jetë dikush nga LDK, por nuk mund të pranojmë një bllanko mbështetje sepse ata pastaj kanë mundësinë të zgjedhin kë të duan”, ka thënë ai.

Sipas tij, është problematike që kryetari i VV-së ose grupi negociues të japë premtim për votat bllanko të të gjithë deputetëve të vet. Ai ka thënë se kjo nuk është njëjtë sikur me votimin e Albin Kurtit për kryeministër.

Ndryshe, LDK sot i ka bërë ofertë publike VV-së që t’ia jap postin e kryetarit të Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit.

Njoftimi i plotë i LDK-së:

Sot kemi dorëzuar me shkrim ofertën tonë për bashkëqeverisje me VV-në, të propozuar në takimin e datës 8 janar 2020.

Në këtë takim, dhe në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani,

LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për qeverisje të përbashkët në interes të shtetit të Kosovës, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019. Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet siguron stabilitet qeverisës për mandat të plotë prej katër vitesh.

Kjo marrëveshje duhet finalizuar sa më parë në mënyrë që të fillojmë zbatimin e programit qeverisës të dakorduar nga dy ekipet tona, që mundëson reforma të thella ekonomike, sociale, të sundimit të ligjit dhe të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.

Propozimet tona, të dorëzuara sot me shkrim, janë si vijon:

1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:

a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

3. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

4. Si rezultat i kësaj marrëveshje:

a. Deri në zgjedhjen e Presidentit:

• VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq

• LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.
b. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja:

• VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq

• LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.5. Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.

Oferta e plotë gjendet në link:

Avdullah Hoti tregon ofertën që i’u bë sot VV-së

04/02/2020 12:40

Këshilltarja e Albin Kurtit: Amerika përmes Serbisë po sabotojnë Kosovë