Lajme

Veseli: Në PDK kanë ardhur kuadro të reja, të cilat do të ndihmojnë në zhvillim të shtetit

05/25/2019 14:53
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar strukturat e reja të degës së PDK-së në Kaçanik, me të cilat ka diskutuar për vizionin e tij për Dekadën e Re dhe për zhvillimin e Kaçanikut ku PDK ka fituar të gjitha zgjedhjet që nga themelimi.

Veseli ka folur para strukturave të reja të Degës së PDK-së në Kaçanik edhe për nismat e tij të fundit për Tribunalin Ndërkombëtar për gjenocidin serbë gjatë luftës në Kosovës, për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit si dhe atë të Dëbimit.

Ai tha se këto propozime kanë për qëllim të kërkojnë drejtësi për mijëra viktima të pafajshme që janë vrarë e masakruar nga forcat serbe, duke i hapur kështu pastaj rrugë arritjes së një marrëveshje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për zgjedhjet në gjitha nivelet e strukturave të PDK-së, kryetari Veseli tha se në këtë proces kanë marrë pjesë mbi 50 mijë qytetarë të profileve të ndryshme, duke freskuar dhe forcuar Partinë Demokratike të Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të shtetit.

“PDK është forca më e madhe në Kosovë. Jemi parti e veprave e jo e fjalëve. Jemi parti e pajtimit e jo e urrejtjes. Jemi parti e konceptit për të ardhmen e jo që zhytet e plekset gjithmonë në konfliktualitet”, tha Veseli.