Vizita e Ramës në Kosovë ndodh në kohën e një situate të tensionuar në veri të Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit për targat e Serbisë. Në vizitën në Prishtinë, Rama mbrojti edhe idenë e Ballkanit të Hapur. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha në Prishtinë se Serbia duhet të ndalë manovrat ushtarake afër kufirit me […]
Vizita e Ramës në Kosovë ndodh në kohën e një situate të tensionuar në veri të Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit për targat e Serbisë. Në vizitën në Prishtinë, Rama mbrojti edhe idenë e Ballkanit të Hapur.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha në Prishtinë se Serbia duhet të ndalë manovrat ushtarake afër kufirit me Kosovës, sepse sipas tij, ato nuk mbrojnë qytetarët serbë të veriut të Kosovës.
Këtë deklaratë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e bëri gjatë një vizite që në Kosovë dhe pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Edi Rama nga Prishtina e dënoi “sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me targat e veturave”.
“Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama. Kryeministri shqiptar dënoi incidentet e dy ditëve më parë në veri, djegien e qendrave të regjistrimit të veturave në veri të Kosovës. Sipas tij, qytetarët serbë në Kosovë nuk kanë nevojë të mbrohen, pasi jetojnë të sigurtë.
“Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush. Madje iu paguhen edhe faturat e energjisë elektrike nga qeveria e këtij shteti këtu si askujt askund, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, u shpreh Rama. Sipas tij, problematika e tashmë rreth targave të veturave mund të zgjidhet “vetëm me dialog.”
“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë drejtë t’i kthejë targat në një përditshmëri konfliktuale, ku mizën po e bën buall a thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë”, tha Rama.
Ai i bëri thirrje edhe Kosovës, siҫ tha, që të mos krijojë probleme me miqtë ndërkombëtarë përmes mbajtjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në kufi.
Kosovo, Besuch von Edi Rama, Ministerpräsident von Albanien & Albin Kurti
“Duhet bërë kujdes që çuarja e njësive speciale në atë zonë, nga nevoja për t’u siguruar se nuk cënohet siguria dhe rendi publik, në momentin e shtrirjes së problemit, mos të kthehet në një problem mes vetë Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka arsyetuar prezencën e njësive speciale në vendkalimet kufitare.
“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ndodhet aty për të demonstruar një forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët tanë kufitarë”.
Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.
“Situata në veri duhet të shtensionohet. U bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkroi Rohde në Twitter.
Kryeministri Albin Kurti, nga ana e tij tha se Kosova është e hapur për bisedime, të cilat janë refuzuar nga Beogradi, ndërsa ritheksoi se masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër serbëve të Kosovës.
“Ne kemi bërë një ofertë, me të cilën kemi thënë që nuk ia vlen të kemi targa të përkohshme. Edhe Republika e Kosovës edhe e Serbisë po i heqim ato të dyja palët dhe besoni se pakrahasueshmërisht më shumë kanë arsye shqiptarët që t’iu pengojë targa e Serbisë që ka “katër S” me çirilicë aty e të cilin keni mundur ta gjeni në shumë shtëpi të rrënuara gjatë luftës e madje të bërë me thikë në gjokset e shqiptarëve, se sa do të duhej t’ua vriste sytë harta e Kosovës serbëve në Serbi. Mirëpo ne kemi thënë po i heqim targat e përkohshme, ata le të vijnë lirisht, ne po shkojmë lirisht dhe qarkullimi i lirë, liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit të jetë sa më e kollajshme dhe pa asnjë vonesë”, tha Kurti.
Rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës në Jarinjë dhe Bërnjak, po mbahen të bllokuara nga serbët lokalë në shenjë kundërshtimi për vendimin e Kosovës për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në Prishtinë takoi edhe udhëheqësit e partive politike opoziare. Ai foli sërish për nismën “Ballkanit të Hapur’, ku sipas tij, kjo do ta përshpejtojë edhe procesin e Berlinit.
“Unë jam i bindur edhe më tepër sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim në të shkuarën, dhe t’i marrim vetes maksimumin, si shqiptarë dhe si rajon. Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe të kapitaleve. Është më e mundur që të ketë sukses edhe dialogu nga klima që krijohet nga Ballkani i Hapur. Kjo nuk është asgjë, pos marrja në zotërim të procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij” tha Rama.
“Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh familja dhe gjaku, me fqinjin lidhesh pasi e ke aty”, tha kryeministri i Shqipërisë, pas shumë përplasjeve në distancë që kishte me kryeministrin e Kosovës.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar një nismë të quajtur “Ballkani i Hapur”, në të cilën refuzojnë të jenë pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja./DW