Lajme

“Veprimet e kryeministrit të Shqipërisë janë tradhti ndaj Kosovës”

12/23/2019 09:39
nga:B. D

Takimet për Mini-Shengenin, në të cilat po merr pjesë edhe Shqipëria, po vazhdojnë të kundërshtohen nga subjektet politike në vend e në Shqipëri. Iniciativa për Mini-Shengenin thuhet se do ta izolojë Kosovën dhe në rast se realizohet do të krijojë edhe konflikte në Ballkan. Pas Samitit të Tiranës ndasitë Kosovë – Shqipëri janë të tejdukshme.

Edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, ka thënë për gazetën se kjo iniciativë e fuqizon Serbinë dhe e dobëson Kosovën.

Sipas tij, veprimet e kryeministrit Edi Rama janë tradhti ndaj Kosovës. “Veprimet e kryeministrit të Shqipërisë janë tradhti ndaj Kosovës, sepse njëherë do të duhej një aleancë dhe një fuqizim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe pastaj kërkimi i partneritetit me Serbinë dhe me pjesëmarrësit e tjerë. Nuk mund të ketë iniciativa rajonale pa u zgjidhur problemi i raportit të Kosovës me Serbinë dhe me Bosnjë e Hercegovinën”.

Krasniqi ka thënë se iniciativa të tilla dështojnë për shkak se qëllimi i tyre nuk është integrimi i tërë Ballkanit, por fuqizimi i Serbisë dhe se nëse vazhdon kështu, atëherë mund të krijohen situate konfliktuoze. “Kjo mund ta debalancojë gjendjen në Ballkan dhe mund të provokojë edhe tendenca për konflikte. Zgjidhja më e mirë është që i gjithë rajoni të fokusohet në procesin e integrimit evropian. Që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të pranonte realitetin që ekziston, Kosovën si shtet të pavarur. Pasi të ndodhte pranimi, atëherë iniciativat rajonale do të kishin kuptim dhe atëherë do të viheshin në shërbim të përshpejtimit të procesit integrues evropian”, ka theksuar ai.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë për “Zërin” se Kosova nuk do të dëmtohet nëse nuk merr pjesë në takimet për Mini-Shengenin. Ai po ashtu ka thënë se një iniciativë e tillë, pa përfshirë gjithë Ballkanin, mund të mos arrihet. “Një iniciativë e tillë, pa e përfshirë komplet Ballkanin, mendoj që nuk mundet të jetë e suksesshme dhe e arritshme. Kështu që nuk besoj se mund të ketë ndonjë dëmtim Kosova në politikën e jashtme pikërisht për shkak se nuk po merr pjesë në këto takime. As Bosnjë e Hercegovina nuk është duke marrë pjesë në këto takime, kështu që kjo ka mbetur një iniciativë e izoluar mes Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë, por që prapëseprapë nuk besoj që do të ndodhë diçka konkrete në këtë drejtim”, ka shtuar ai.