Lajme

Vendos Hashim Thaçi: Nisma e PSD mund të mbesin jashtë KQZ-së. Kjo është formula për anëtarët e rinj të KQZ-së?!

03/26/2019 15:10
nga:Gazeta Blic

NISMA Socialdemokrate e Kosovës që udhëhiqet  nga Fatmir Limaj, mund të mbetet pa përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Fatin e njejtë mund ta ketë edhe partia e Shpend Ahmetit, Partia Social Demokrate.

Ani pse këto dy subjekte politike kanë propozuar e dërguar emra konkretë se kush mund të jenë anëtarë të KQZ-së, megjithatë presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk i ka ftuar përfaqësuesit e propozuar nga këto dy parti për t’i dekretuar për të enjten, ashtu siç edhe ka paralajmëruar përmes një njoftimi për media.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, PDK dhe AAK kanë konfirmuar për Gazeta Blic, që kanë marrë ftesat për dekretimin e përfaqësuesve të tyre për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Këta janë emrat e rinj të KQZ-së

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka konfirmuar për Gazeta Blic, që kanë marrë ftesë dy të propozuarit e kësaj partie nga presidenti Thaçi, për t’u dekretuar për anëtar të KQZ-së.

“Po, ne kemi marrë ftesë. Dy të propozuarit e VV-së kemi marrë ftesat. Unë dhe Nazlie Bala kemi marrë ftesat”, tha ai për Gazeta Blic.

Betim Gjoshi i PDK-së ka konfirmuar për Gazeta Blic, se I propozuari i tyre, Ilir Gashi tashmë ka pranuar ftesën nga zyra e presidentit Thaçi.

“Ne si PDK kemi propozuar Ilir Gashin, i cili ka qenë edhe më herët anëtar i KQZ-së, dhe ai ka pranuar ftesën që të enjten të marrë edhe një mandate si anëtar i KQZ-së nga radhët tona”, tha ai.

Edhe nga AAK kanë konfirmuar se i propozuari i tyre, Ibrahim Selmanaj është njoftuar gojarisht se të enjten do të dekretohet nga ana e presidentit për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nga LDK, të propozuar janë: Florian Dushi dhe Sami Hamiti, që të dy ish- anëtarë të KQZ-së nga kjo parti.

Dushi ka konfirmuar emrin e tij dhe të Hamitit sit ë propozuar nga partia, por nuk ka konfirmuar nëse zyrtarisht kanë pranuar ftesën nga presidenti.

Dushi tha se LDK kishte propozuar formulën që secili grup parlamentar i dalë nga zgjedhjet, t’i ketë nga 2 përfaqësues në KQZ.

Që sipas tij, i bie që PAN t’i ketë 2 përfaqësues, nga aq sa do t’i kenë edhe LDK dhe VV.

Zyrtarë të PSD-së kanë thënë për Gazetën Blic, se e propozuara e tyre për anëtare të KQZ-së është Marigona Drevinja.

Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së tha për Blic që deri në këto momente, as gojarisht e as zyrtarisht, i propozuari i tyre nuk ka pranuar ftesë nga Presidenca, për ditën e enjte kur edhe është paralajmëruar dekretimi i anëtarëve të organit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.

Deputeti i Nismës, Bilall Sherifi për Gazeta Blic tha se ata e kanë propozuar për anëtar të KQZ-së, Eshref Vishaj.

“Deri në këto momente nuk kemi marrë ftesë zyrtare. Presim që presidenti t’i dërgoj ftesë edhe të propozuarit tonë”, tha ai.

“Ende jo, mirëpo unë pres që presidenti të dekretojë nga një përfaqësues nga 6 grupet parlamentare që janë aktualisht nē Kuvend! Pra konsideroj që përbërja e KQZ-së duhet të reflektojë numrin e grupeve parlamentare në Kuvend!”, tha ai për Gazeta Blic.

Ndryshe, Valdete Daka tashmë është në mandatin e dytë në krye të KQZ-së. Ajo në prill të vitit 2018, ka marrë mandatin e dytë në krye të KQZ-së.

Presidentit të Kosovës Hashim Thaci i ishin propozuar dy formula se si t’i emëroj anëtarët e rinj të KQZ – secilit grup parlamentar t`i takoj nga një anëtar apo formulën tjetër që koalicon I qeverisës të ketë dy anëtar, sikurse edhe dy partitë që janë në opozitë (LDK – VV).

Presidenti Hashim Thaçi, muaj më parë këtë çështje e kishte adresuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, por e cila nuk kishte saktësuar se si të ndahen mandatet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndryshe, të martën ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett ka kërkuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi zhbllokimin KQZ-së.

Menjëherë pas reagimit të diplomatit të lartë amerikan, presidenca  përmes një komunikate për media ka njoftuar se betimi i anëtareve të rinj do të bëhet të enjten.

Gazeta Blic i ka dërguar pyetje Presidencës, ku ka kërkuar sqarime, lidhur me formulën, mbi bazën e së cilës do të emërohen 6 anëtarë shqiptarë në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Thaçi i bindet presionit të SHBA-së, i jep mandat KQZ-së

 

Si e parasheh Kushtetuta plotësimin e anëtarëve të KQZ-së:

NENI 139

KUSHTETUTA E KOSOVES

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE

  1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre.
  2. Komisioni përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë.
  3. Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me jurisdiksion apeli.
  4. Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. Një (1) anëtarë emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin Serb të Kosovës dhe tre (3) anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.