Ish deputeti i VV-së, tani deputet i pavarur, Fatmir Humolli, ka komentuar pajtimin e Qeverisë së Kosovës me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
Humolli në një prononcim për Gazeta Blic, tha se nuk ka vend për befasi nga kjo qeveri.
“Nuk ka mbetur vend për befasi nga kjo qeveri, duke parë se si kanë punuar nga fillimi i mandatit për një përçarje të vazhdueshme të niveleve të ndryshme shoqërore, kanë punuar për të ulur vlerën e luftëtarëve, mësimdhënësve, punëtorëve dhe të gjitha kategorive me dinjitet në shoqerinë tonë”, tha Humolli.
Tutje, ai thotë se kjo kjo qeveri ka dështuar në unifikimin e popullit, ku kjo gjë i shërben bashkësisë ndërkombëtare, që kanë për qëllim që Kosovën ta shohin si pjesë të Serbisë.
“Kjo qeveri ka dështuar në unifikimin e popullit tonë dhe kjo gjë i shërben me së miri bashkësisë ndërkombëtare, të cilët qartësisht kanë qëllim që Kosovën ta shohin si pjesë të Serbisë”, shtoi ai.
Humolli thotë se organet fetare duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, ku edhe Kushtetuta duhet të jetë në intersat e qytetarëve.
Ai thekson se presioni ndërkombëtar thërret për mbrojtjen e interesave qytetare, kurse po punon në favor të poltikës shovene serbe. Deputeti shton se ndoshta qëllimi i tyre është nxitja e trazirave në Ballkan deri në ndezjen e luftërave të reja.
“Manastiret, Kishat, Xhamitë dhe organet tjera fetare duhet të jenë në shërbim të qytetarëve. Ashtu edhe Kushtetuta jonë duhet të jetë në linjë me interesat e qytetarëve. Por presioni ndërkombëtar me demagogji thërret për mbrojtjen e interesave qytetarë, ndërsa punon në favor të politikës shovene serbe. Për shembull, presioni i tyre për rishpalljen e zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës duke u thirrur në interesin e qytetarëve atje edhe pse ligjërisht kryetarët nuk mund të kontestoheshin, është në kundërshtim me presionin e tyre për dhënien e tokës Manastirit të Deçan, ku interesi i qytetarëve është kundër këtij vendimi. Pra, bashkësia ndërkombëtare nuk perdor masën e njëjtë dhe për çudi vazhdimisht presioni i tyre është në favor të politikes shovene serbe. Ndoshta qëllimi i tyre është nxitja e trazirave në Ballkan deri në ndezjen e luftërave të reja?!!”, përfundoi Humolli për Gazeta Blic.