Lajme

Vendimi i Qeverisë për shndërrimin e FSK në Ushtri, i duhur apo jo, flet Eksperti i Sigurisë

09/14/2018 11:48
nga:D.I

Kryeministri Haradinaj me vendimin e tij që Forcat e Armatosura të Kosovës të shndërrohen në Ushtri ka bërë veprimin më të duhur që nga qeverisja e tij. Kështu ka thënë për “Gazeta Blic”, eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja.

Qehaja ka folur për tentative që nga viti 2014 për formimin e Ushtrisë së Kosovës duke thënë se kanë qenë përpjekje të pasuksesshme.

Sipas tij me të votuar tri projektligjet bazë për formimin e ushtrisë, Qeveria e Kosovës më në fund është ngritur nga pika zero.

“Që nga viti 2014 jemi duke bërë përpjekje që të formojmë forcat tona të armatosura dhe kjo rezultoi si përpjekje e pa suksesshme, duke theksuar faktorin ndërkombëtarë edhe serbët këtu lokalë përkatësisht Lista Srpska kanë qenë të mendimit që transformimin e FSK-së në Ushtri ta bëjmë vetëm me ndryshime kushtetuese. Pasi që kjo deri tani nuk ndodhi dhe nuk qe e mundur të ndodhe dhe as nuk është në horizont që kjo të ndodhë, unë si ekspert i çështjes së sigurisë kujtojë se Qeveria e Kosovës e ka bërë më në fund duke ia dhënë detyrat shtesë Forcës se Sigurisë se Kosovës sepse ajo mbetet si e tillë dhe në këtë mënyrë ne do të shkojmë në formësimin e Forcave të Armatosura përkatësisht të Forcës së Sigurisë së Kosovës me detyrat ushtarake sepse kjo ka qenë e vetmja mundësi që ne të ngritemi nga pika zero”, ka deklaruar Qehaja për Gazeta Blic.

I pyetur se si e komenton kundërshtimin e miqve ndërkombëtarë dhe në anën tjetër kushtëzimin e Listës Serbe që të bëhet Ushtria e Kosovës.

Qehaja ka thënë se nuk mund të ketë rrezik nga këto kundërshtime, madje ai i cilëson si reaksion jo shumë të ashpra.

Njohësi i çështjeve të sigurisë thotë se deri tani kjo është lëvizja më pozitive nga ana e Qeverisë Haradinaj në drejtim të formimit të Ushtrisë.

Eksperti i Sigurisë, Ramadan Qehaja.

“Është e vërtetë që ka reaksione të atu këtushme, por nuk e mendoj që ka shumë reaksione të ashpra lidhur me këtë sepse edhe Bashkësia Ndërkombëtare dhe ata të cilët thonë se ndoshta jemi ngutur me këtë e dinë që me ndryshime kushtetuese nuk ka mundur që kjo çështje të ecë përpara andaj ne duhet t’I kapërdijmë edhe ato kritikat eventuale, por, unë mendoj që tanimë kjo çështje ka filluar të shtjellohet dhe kryeministri Haradinaj nëse deri tash siç thotë dikush ka pasur dobësi në menaxhim etj… unë kujtojë që me këtë hapë ka bërë një lëvizje pozitive në drejtim të formimin të Ushtrisë së Kosovës sepse tjetër rrugëdalje nuk ka pasur”, është shprehur ai.

Qeveria e Kosovës dje ka votuar tri projektligjet bazë për formimin e ushtrisë, duke anashkaluar kështu kërkesën e miqve ndërkombëtarë që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese duke transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka thënë se ky vendim nuk është marrë në koordinim me Ambasadën Amerikane.

Ushtria e Kosovës nuk do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Përkundrazi, Qeveria ka miratuar gjatë ditës së djeshme projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, duke anashkaluar amendamentimin e Kushtetutës për ndryshim të emrit nga FSK-ja në Forca të Armatosura.

Gjatë mbledhjes së djeshme kabineti qeveritar miratoi tri ligjet bazë për transformim të FSK-së me mision dhe me detyra shtesë: Ligjin për Forcën, Ligjin për Shërbim në Forcë dhe Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky vendim i ndërmarrë është krejtësisht ligjor.

Megjithëkëtë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka kundërshtuar fillimisht një gjë të tillë, duke thënë se ushtria nuk mund të bëhet “kokë më vete” pa pasur dakordim me faktorin ndërkombëtar.

Në anën tjetër, Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se tentimi i Qeverisë Haradinaj për themelimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës po bëhet për të nxitur tensione pas vizitës së Vuçiqit në Kosovë.

Sipas tij, një gjë e tillë po bëhet edhe për të tërhequr vëmendjen nga dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

“Pa pëlqimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe pa ndryshime të Kushtetutës, është e pamundur të transformohet FSK-ja në ushtri”, ka thënë Simiq sot për TV Pink.

/GazetaBlic/

09/17/2018 21:44

Një autobus tjetër nga Kosova, sulmohet me gurë në Serbi!