Lajme

Vendimet “veç për qef” të kryeministrit Haradinaj, që i kushtuan buxhetit të vendit miliona euro

04/18/2019 15:10
nga:A. R.

Kryeministri Haradinaj dhe qeveria e tij, kanë shpenzuar miliona euro për vendime, që janë kontestuar fort nga opozita dhe shoqëria civile, shkruan Gazeta Blic.

Ndarje të buxhetit për shumë raste, që kanë pasur të bëjnë me fatkeqësi natyrore dhe njerëzore, shpenzime për manifestime të ndryshme në vend, e deri të falja e borxheve publike, kanë qenë ndër vendimet për të cilat Haradinaj është kritikuar nga partitë opozitare, shoqëria civile, analistët por edhe nga vetë partnerët e koalicionit me të cilët po qeverisë vendin.

Një vendim të tillë, Haradinaj e ka marrë edhe gjatë mbledhjes së qeverisë së sotme. Me miratim të kabinetit qeveritar, nga buxheti i vendit, janë ndarë 25 mijë euro për rindërtimin e Katedrales Notre Damee, në Paris, e cila u djeg para tri ditësh nga një zjarr i madh.

Ky vendim i qeverisë Haradinaj, u kritikua nga shumëkush. Politikanë, anëtarë të shoqërisë civile e shumë qytetarë u shprehën të zhgënjyer me këtë vendim, duke thënë se Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës. Ata kërkuan nga Haradinaj, që në vend të ndarjes së këtyre mjeteve për Katedralen Notre Damee, ta bëjë këtë për rastet e sëmundjeve në Kosovë, të cilat po vazhdojnë të shpeshtohen dhe shërimi i tyre në spitalet tona, po është i pamundur.

Por, kryeministri, pati një shpjegim tjetër për këtë vendim. Ai tha se duhet të kihet kujdes kur të kritikohet një vendim i tillë, pasi që siç tha ai “Franca ka dhënë shumë për Kosovën” dhe se “nuk duhet të jemi mosmirënjohës.

Pati edhe njerëz të profileve politike që e përkrahën iniciativën e Haradinajt dhe vendimin e qeverisë me të cilën udhëheq ai. Treguan se Franca shpenzoi miliarda dollarë për fushatën e bombardimeve të NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

Përkundër krejt këtyre kritikave ndaj këtij vendimi, Gazeta Blic, do sjell disa nga vendimet e qeverisë Haradinaj, të cilat ishin marrë ndër vite dhe të cilat i kushtuan buxhetit të vendit miliona euro.

Që nga falja e borxheve për kompanitë e ujit, ndarja e shumave të parave për rastet e vdekjeve dhe miliona eurot për manifestimin e përvjetorëve në Kosovë, ishin disa nga vendimet që kabineti Haradinaj, i mori për 1 vit e gjysmë, sa është në pushtet.

Disa prej këtyre vendimeve, përveç kritikave nga opozita dhe shoqëria civile, u kritikuan edhe nga partnerët e koalicionit qeverisës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, vitin e kaluar kishte dhënë alarm për shterrjen e rezervave shtetërore, duke kërkuar kështu të kihet kujdes në vendimet e ardhshme.

Për vendimet dhe shpenzimet e qeverisë Haradinaj, Gazeta Blic, ka folur me anëtarë të kabinetit të kryeministrit, zyrtarë të partive në pushtet dhe opozitë. Ata janë të ndarë në mendime për këto shpenzime, teksa secili prej tyre ka dhënë versionin se pse është mirë e pse keq.

Në vitin e parë të qeverisjes, (shtator 2017-shtator 2018), kryeministri Ramush Haradinaj me anë të disa vendimeve pati shpenzuar pothuajse të gjitha paratë e planifikuara në vlerë prej 4.8 milionë euro nga Rezerva Financiare e Buxhetit të Kosovës për vitin 2018, shkruan Gazeta Blic.

Ndarja e mjeteve për manifestimin kulturor “Flaka e Janarit”, mbulimi i shpenzimeve për familjet e të dënuarve në rastin “Kumanova”, ndarja e 300 mijë eurove për mbulimin e shpenzimeve të 1,500 veteranëve për pushime verore në bregdetin e Shqipërisë, ndarja e 1 milion eurove për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), për të mbuluar faturimin e energjisë elektrike, të shpenzuar në katër komunat veriore të Kosovës, janë disa nga vendimet e votuara nga kabineti qeveritar.

Qeveria e Kosovës më 13 shkurt të vitit të kaluar, kishte ndarë 600 mijë euro për organizimin e programit të Këshillit Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, janë ndarë edhe 100 mijë euro shtesë të cilat janë planifikuar të shfrytëzohen sipas nevojës së manifestimit.
Por, tetë muaj më vonë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 64-të mori vendim për ndarjen e 255,613 eurove shtesë për shlyerjen e borxheve të mbetura nga manifestimi për përvjetorin e Pavarësisë.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 368 mijë e 904.01 euro, ku njëri nga vendimet është ndarja e 112 mijë euro për rregullimin e Parkut të Paqes në Preshevë.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po karakterizohet si “dorëlirë” në harxhimin e Buxhetit, ku në disa raste me vullnetin e tij, e në tjera edhe i detyruar.

Kryeministri Haradinaj gjatë vitit të parë të qeverisjes është dashur të paguajë miliona “gjobë” për “gabimet e qeverisë”, si dhe rritje të pagave për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Qeveria e Kosovës me 5 qershor të vitit 2018, kishte miratuar kërkesën e konzorciumit “Bechtel & Enka” për të ndarë 53.1 milionë euro me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për vonesa të pagesave si dhe zgjatjen e punëve për 14 muaj në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Haradinaj kishte vendosur t’i ndajë krye në vete 290 mijë euro për familjarët e të dënuarve në Rastin “Komunova” dhe i fali 60 milionë euro borxhe prodhuesve të ujit të cilët qe 18 vite mashtruan shtetin duke mos paguar asnjë cent për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave dhe shfrytëzim të inerteve. Kryeministri e pati arsyetuar këtë vendim duke e treguar se atij “veç ju ka tekë”.

“Veç mu ka tekë me ja nisë prej qatyne, me bo ni shembull të mirë, janë prodhues të vendit, uji i Kosovës, punëtorët e Kosovës, për popull të Kosovës”, kishte thënë Haradinaj.
Madje, vendimi për ndarjen e 290 mijë eurove për familjarët e rastit “Kumanova“, kishte përplasur Haradinajn me vartësit e tij. Vet ai e kishte pranuar një gjë të tillë.

“E kom thirrë ministrin e Drejtësisë, a pe bon një propozim diqysh, tha po kqyri me vet qysh shkon, edhe i mëshova vet prej zyrës së kryeministrit, shpejt e shpejt”, kishte deklaruar Haradinaj në Klan Kosova.

Qeveria Haradinaj po ashtu shpenzon para të mëdha edhe në pagat e kabinetit qeveritar – kabinet i cili tashmë kap numër mbi 500 personash.

Anipse Haradinaj kishte qenë kritik i zëshëm i qeverisë së kaluar për numrin e zëvendësministrave në Qeverinë që udhëhiqej nga Isa Mustafa ka më shumë zëvendësministra, se sa që kishte tani kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Është shumë shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord të Ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë se një Zëvendësministër për Ministri. Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste”, thoshte Haradinaj në postimin e tij të bërë më 16 dhjetor, 2014.

Haradinaj nuk ishte ndalur me kaq.

500 mijë euro ishin ndarë nga qeveria Haradinaj, për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ky vendim pati ngjallur reagime të ashpër të opozitës kosovare dhe të shoqërisë civile.

Një shumë prej 500 mijë eurosh, Haradinaj e kishte ndarë për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Shumica e vendimeve të kryeministrit Haradinaj, për ndarjen e mjeteve për çështje të ndryshme, ishin dhënë nga paratë e destinuar për rezerva shtetërore.

Kjo gjë e kishte shqetësuar kohë më parë edhe ministrin e Financave, që vjen nga PDK-ja, Bedri Hamza.

Hamza pati thënë se rezervat shtetërore janë duke shkuar drejt fundit, teksa kërkonte nga të gjithë ministrat e kabinetit Haradinaj, që të kihet kujdes në kërkesat në të ardhme – duke thënë se rrezikimi i rezervave të shtetit është rrezik për gjendjen financiare në Kosovë.

”E para për të gjitha ngjarjet që do të ndodhin i lus të gjithë ministrat që t’i planifikojnë dhe t’i vendosin me kohë në buxhetin e ministrisë së tyre. E dyta nga çdo njëri prej neve që ka nevojë për rezerva të respektohet afati dhe e treta duhet me pas kujdes për kërkesat e ardhshme për shkak se gjendja e rezervës është duke shkuar nga fundi”, kishte thënë Hamza.

Një vendim që kohë më parë ishte marrë nga kabineti Haradinaj, ka të bëjë edhe me mbulimin e shpenzimeve për familjarët që do të gjykohen nga Gjykata Speciale.

Sipas atij vendimi, qeveria e Kosovës do të heq shpenzimet për vizitat dhe akomodimet për të gjithë familjarët e atyre që do të gjykohen nga Gjykata Speciale.

Ky vendim do të hyjë në fuqi në momentin kur kjo gjykatë do nisë me arrestimet e  anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që pritet të gjykohen për krime lufte.

Haradinaj, kishte marrë vendim për ndarjen e 15 mijë eurove për familjen e Nexhat Dacit, pas vdekjes aksidentalisht të djalit të tij, Arianit. Edhe ky vendim pati ngjallur reagime të shumta.

Ndarjet e 25 mijë eurove për Katedralen në Francë dhe ai për djalin e ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, po shihen si të paarsyeshme nga zyrtarë të Partisë Socialdemokrate (PSD).

Shqipe Pantina, deputete e kësaj partie, i tha Gazetës Blic, se asnjëri rast nuk ka pasur nevojë për paratë e buxhetit të Kosovës, teksa ka dhënë një propozim për krijimin e një fondi emergjent për rastet e jashtëzakonshme që ndodhin në Kosovë.

Pantina tha se dëmtimi i pronave të qytetarëve të Kosovës, do të duhej të mbuloheshin nga ana e qeverisë, por jo në mënyrë kuturu. Tha se për secilën ndarje buxhetore, për çfarëdo rasti qoftë, duhet të krijohet një ekip që do e përcaktonte vendimin.

“Qeveria e Kosovës do të duhej të themelonte një fond emergjent, për rastet e jashtëzakonshme që ndodhin në Kosovë. Kemi pasur shumë raste në të kaluarën, kur qytetarët e këtij vendit, janë dëmtuar në shumë mënyra, veçmas nga dëmtimi i prodhimeve të tyre nga fatkeqësitë natyrore. Po ashtu, ka pasur raste kur nga pakujdesia, janë djegur shumë shtëpi të qytetarëve të Kosovës dhe një mori rastesh tjera të këtij lloji.

“Andaj qeveria do të duhej që të kishte një fond, që do të merrej me këto raste. Por, edhe këto raste do të duhej të kalonin nëpër një procedurë, e jo të ndaheshin fonde pa asnjë kriter.
Vendimi për rastin e Katedrales në Francë, pavarësisht që na ka prekur gjithsecilit ai rast, nuk ka qenë i duhur. Po ashtu edhe rasti i ndarjes së parave për vdekjen e Arian Dacit. Të dyja këto raste na kanë prekur të gjithëve, por solidarizimi për këto raste nuk mund të bëhet vetëm me para. Të dyja këto raste, mendoj që nuk kanë pasur nevojë për mbështetjen e qeverisë së Kosovës, përmes ndarjes së parave”, ka thënë Pantina.

Kurse, për këto vendime ka folur për Gazetën Blic, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Ai nuk ka dashur që t’i komentojë vendimet e mëhershme, me arsyetimin se për to, ka folur kryeministri Ramush Haradinaj, teksa për vendimin e ditës së sodit, ka thënë se komentet për të janë më se qesharake.

Nitaj, ka shtuar se ndarjen e këtyre mjeteve po i bëhet një krahasim skandaloz, teksa po përmendet “rrënimi i Kullës së Jasharajve”, në Prekaz.

Përmendi 9 milionë eurot e shpenzuara për ruajtjet e kësaj kulle, të cilat sipas tij “me gjasë janë keqpërdorur”.

“Për rastin e mjeteve të dhëna për djalin e ndjerë të Nexhat Dacit dhe për familjarët e rastit ‘Kumanova’, janë dhënë shpjegimet, ndërkaq për mjetet që qeveria paska vendosur t’i jap për katedralen në Paris, vlerësoj se po bëhemi qesharak me komentet për të. Franca ka dhënë shumë më shumë për Kosovën, se sa një shumë simbolike që Kosova e ndan për këtë Katedrale. Fundja ky është një gjest i përgjegjshmërisë që duhet ta kemi si shtet. Mos të shqetësohen se nuk fiket Kosova për një shumë simbolike. I pashë plotë reagime se si po bijnë kullat e Jasharëve, në kohën kur qeveria po jep pare për Katedralen e Parisit. Por, krahasimi është qesharak. Qeveritë deri sot i kanë dhënë 9 milionë euro për Kompleksin e Jasharajve dhe mirë kanë bërë, por çështje tjetër është pse ato mjete, me gjasë nuk janë shfrytëzuar si duhet”, tha Nitaj.

“Nuk duhet që çdo vendim i qeverisë, edhe atëherë kur fjala është për një shumë simbolike, të shndrrohet në luftë politike. Kjo më shumë flet për mjerimin tonë se sa për nikoqirllëkun e menaxhimit të parasë publike”, përfundoi deputeti i AAK-së.

Gazeta Blic, ka tentuar që gjatë ditës të marrë ndonjë koment nga ana e qeverisë Haradinaj, por që komunikimi me ta ka qenë i pamundur.
Njësoj ka qenë edhe me zyrtarë të Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje./Gazeta Blic