Lajme

Veliut s’i bëjnë përshtypje deklaratat nga VV: Sot vazhdojmë me procedurat për rrëzimin e qeverisë, me deklarata le të merret Kurti

03/20/2020 14:48
nga:A. R.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë sot ta çojë përpara iniciativën për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Veliu është shprehur se arsyeja e rrëzimit të qeverisë nuk është shkarkimi i tij nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, por, siç ka deklaruar ai, “problemi është më i madh”.

“Nuk kisha dashur të merrem me deklarata të Bislimit, e as të kujtdo. Ne tash jemi në proces të një mocioni, kështu që, ai është një proces që ecën. Besoj që zhvillimet do të denifinohen brenda ditës”, ka thënë Veliu për insajderin.

I pyetur se kur do të vazhdojnë procedurat për rrëzimin e qeverisë, Veliu ka thënë se “sot, patjetër” do të vazhdohet me mocionin e mosbesimit.

“Sigurisht [LDK do të vazhdojë me iniciativën për rrëzimin e qeverisë]. Jo gjatë kësaj jave, por sot do të vazhdohet me mocionin, patjetër”, ka thënë ai.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, edhe nëse ai vetë-tërhiqet nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe LDK-ja e cakton një figurë tjetër për këtë pozitë, “problemet nuk do të zvogëlohen”.

“Edhe nëse LDK-ja e cakton dikënd tjetër në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme. Problemi është më i madh; problemi i tarifës, problemi i virusit. Këto janë problemet me të cilat duhet të merret Kurti, e jo me gjëra të kota. Me gjëra që nuk çojnë peshë”, ka thënë Veliu.

“Nuk jam idhëtar i afatave, kushtëzimeve të tilla: ‘bëje këtë, bëje atë’. Vetëm një mund ta them: këtu nuk është problem vetëm Agim Veliu, apo shkarkimi im. Nuk është këtu problemi. Problemi është shumë më i madh”, është shprehur ai.

Kryeministri Albin Kurti shkarkoi të mërkurën Agim Veliun nga pozita e ministrit të punëve të Brendshme dhe Administratës.