Lajme

Veliu: Nuk marr pjesë në Kuvendin klandestin të thirrur sot në degën e LDK-së Podujevë, Abdixhiku po tenton shkatrrimin!

01/29/2022 12:39
nga:Y I

Ish-kryetari i degës së LDK-së në Podujevë dhe deputeti i kësaj partie, Agim Veliu, ka bërë të ditur se ai nuk do të marrë pjesë në kuvendin e jashtëzakonshëm të kësaj dege për ta zgjedhur kryetarin e ri.

Ai tha se të njëjtit persona, që sipas tij, i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Llap, tash po e vazhdojnë misionin e tyre, atë të shkatërrimit të degës.

Veliu akuzoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke thënë se ai është duke shkelur mbi statutin e kësaj partie, dhe se po tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që sipas tij, nuk është as pjesë e strukturave e as e degës së tyre.

Reagimi i plotë:

Të dashur veprimtarë, anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës.

Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë.

Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë.

Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së.