Sporti

Veliu: Nëse kompanitë e ndërtimit lejohen, pse futbolli jo – Kampionati duhet të rifillojë

05/08/2020 18:29
nga:M K

Njohësi i futbollit vendor dhe opinionisti Fetah Veliu, ka komentuar zërat e fundit të qarqeve të futbollit kosovar, lidhur me atë nëse kampionati duhet të ndërprehet apo i njëjti të rifillojë.

Në një prononcim për GazetaBlic, Veliu deklaroi se nuk ka arsye për t’u mos u përfunduar, pasi sipas tij janë hapur edhe aktivitete që janë më të rrezikshme se futbolli, për shkak se kontakti është i përditshëm, siç është rasti i marketeve.

“Po, patjetër se kampionati duhet të rifillojë, sidomos në Superligë dhe Ligë të Parë, ku gjithçka ende është e paqartë. Duhet të përcaktohen skuadrat që do të na përfaqësojnë në garat evropiane, si dhe ato që do të promovohen nga Liga e Parë”, tha fillimisht ai.

Ndërkaq, tutje shtoi faktin se përderisa qeveria ka lejuar kompanitë e ndërtimit dhe marketet, të cilat funksionojnë në ambiente të mbyllura, s’ka arsye pse mos të lejohet edhe futbolli.

“Nëse qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i shëndetit publik kanë lejuar që kompanitë e ndërtimit të rifillojnë aktivitetet, si dhe marketet që veprojnë në objekte të mbyllura, atëherë duhet të lejohen edhe aktivitetet sportive, sidomos në këtë fazë kur po shënojmë progres, por gjithmonë duke respektuar masat sanitare dhe ato të sigurisë. Pra, duke mos u përshëndetur para lojës, as gjyqtarët e as lojtarët”, tha tutje ai.

Kurse, në fund fare Veliu e përmbylli prononcimin me supozimet se kur duhet të rifillohet kampionati, ndërsa shtoi se dy javët e para mund të luhen pa tifozë, por pastaj mund të vijnë edhe tifozë, por me numër të kufizuar.

“Sezoni mund të rinisë në fund të Majit ose në fillim të Qershorit, teksa dy javët e para duhet të luhen pa tifozë, por në ato të radhës mund të ketë edhe tifozë, sipas numrit të ulëseve dhe distancimit të lejuar fizik”, përfundoi Veliu.

/GazetaBlic/

01/18/2020 16:41

Fetah Veliu: Në kuvendin zgjedhor të LRF Prishtinë u injorua Fadil Vokrri, asnjë minutë heshtje