Lajme

Veliu mohon deklaratën e Kusari-Lila: Nuk i kemi nda ministritë se cila kë po e merr, kemi bisedu në parim si me i nda

12/05/2019 18:14
nga:B. D

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Mimoza Kusari-Lila, në një deklaratë gjatë ditës së sotme ka thënë se dy liderët e partive VV dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë pajtuar për ndarjen e posteve ministrore, shkruan GazetaBlic.

Kusari-Lila ka thënë specifikisht se kreu i VV-së, Albin Kurti, ka zgjedhur sektorin e ekonomisë duke zgjedhur Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Financave.

Por një gjë e tillë u mohua nga LDK-ja.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i kontaktuar nga GazetaBlic tha se nuk ka qenë i pranishëm në takimin e fundit VV-LDK dhe nuk ka ide se ka ndodhur një zgjedhje e tillë për ministritë.

Ai tha se LDK-ja ka pasur biseda në parti që të ketë ndarje të barabartë në Qeveri dhe të mos ketë probleme që mund të hasen gjatë rrugës së koalicionit.

“Nuk e di unë, nuk kam marr pjesë në takimin e fundit dhe nuk e di ku ka mbet biseda. Bisedat në parti i kemi pas në parim, me pas një ndarje të barabartë, me i zgjidh gjitha problemet mos me e lënë asnjë problem në të ardhmen, mos me u rreziku koalicioni gjatë rrugës”, tha ai.

Veliu tha se insistimi i tij dhe i LDK-së është që të ketë ndarje të barabartë, të mos dëmtohet asnjëra prej partive pasi që sipas tij që të dyja janë pothuajse të njëjta me numër të deputetëve, por që është një dalim i vogël që e ka bërë Kusari-Lila e cila garoi si deputete duke u futur në listën e VV-së.

“Insistimi i im dhe i LDK-së i vazhdueshëm është që të ketë një ndarje të barabartë sepse LDK-ja në këtë proces nuk guxon me u dëmtu dhe kjo është arsyeja kryesore sepse jemi pothuajse të barabartë, është një dallim i vogël dhe ai dallim është bërë me Mimoza Kusari-Lila si Alternativë”, tha Veliu.

Ai përsëriti se në takimin Kurti-Mustafa nuk është diskutuar për ndarjen e ministrive se cila kë po e merr dhe as me emra të përveçëm, por që të ketë kombinime dhe të krijohet një Qeveri unike e funksionale që punon për interesa të vendit dhe jo individuale.

“Jo nuk i kemi nda ministritë se cila kë po e merr, por kemi bisedu për një parim se si me i nda, një ndarje të barabartë të fushave të ndryshme me pas kombinime, mos me u dëmtu një parti në ndonjë fushë tjetër, me pas kombinime që të jetë një qeveri unike, funksionale një qeveri që punon për të mirën e Kosovës dhe jo për interesa individuale apo me paraparë aty se kush ka me qenë ministër e më pas me vendos partia cilën ministri pe merr sepse kjo nuk ka kurrfarë logjike”, shtoi Veliu për GazetaBlic.

Veliu u shpreh i habitur me deklaratën e Kusari-Lila duke thënë se nuk e di se nga ka ardhur kjo deklaratë e saj.

“Nuk e di pse Kusari-Lila i ka këto deklarata, unë nuk kam informacion se janë ndarë ministritë”, shtoi në fund ai.

03/30/2020 12:45

Agim Veliu: Veç ata që janë të çmendur nuk i’u përgjigjen institucioneve, flet për ftesën e Thaçit!