Lajme

Veliu e Rakiq lënë komunat e tyre pa kryetarë, presidenti ende nuk ka vendosur për datën zgjedhjeve!

06/07/2020 12:11
nga:N.K

Për shkak të ndërrimit të qeverisë në vend, dy komunat, Podujeva dhe Mitrovica e Veriut, pritet të shkojnë në zgjedhje të reja, shkruan GazetaBlic.

Kjo pasi kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, është emëruar zv.kryeministër dhe ministër të Pushtetit Lokal me zgjedhjen e qeverisë së re.

Njësoj, edhe Podujeva ishte vendosur të shkonte në zgjedhje lokale, pasi Agim Veliu ishte emëruar ministër i Punëve të Brendshme.

Nga Zyra për Informim e Presidentit, thonë për GazetaBlic, se presidenti është duke përcjellur gjendjen nga pandemia në vend, dhe varësisht nga situata do të merret edhe vendimi.

“Presidenti në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur”, thonë nga Zyra për Informim e Presidentit Thaçi.

Valmir Elezi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, thotë për GazetaBlic se KQZ-ja do të përmbushë detyrat e saj kushtetuse për organizimin e zgjedhjeve, sapo të merret vendimi nga presidenti.

“Si çdo herë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore, për të organizuar zgjedhjet, kurdo që i kërkohet. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të fillojë me punën intensive për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi të shpallen këto zgjedhje. Kështu do të veprojmë edhe pas vazhdimit të procesit zgjedhor në komunën e Podujevës. Kjo është përgjigje sa i takon rolit kushtetues të KQZ-së, ndërkaq lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”.

Ai tutje thotë se akoma nuk dihet sa do të jetë buxheti total për mbajtjen e zgjedhjeve në këto dy komuna.

“Në rastet kur kemi zgjedhje të paplanifikuara, KQZ-ja përgatit kërkesën buxhetore të cilën e dërgojmë në Qeverinë e Kosovës. Akoma nuk kemi një planifikim buxhetor se sa mund të kushtojnë këto zgjedhje, pasi kjo do të bëhet gati me kohë”.

Koha e mbajtjes së zgjedhjes në këto dy komuna, pritet të ndërlidhet me rrethanat e pandemisë, COVID-19.

Zgjedhjet në Komunën e Podujevës ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të situatës në vend me përhapjen e koronavirusit të ri, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me 14 mars pati vendosur t’i shtyjë ato.

Kujtojmë se situata e pandemisë COVID-19, ka eleminuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në vend, ashtu siç ka kërkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Për tu shmangur nga ky proces për shkak të pandemisë në Kosovë, presidenti Thaçi, kishte vendosur që të ia jepte mandatin Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë.

Por ky veprim i presidentit, bëri që Vetëvendosje të dërgonte dekretin në Gjykatën Kushtetuese, ku kjo e fundit i dha të drejtë LDK-së për formimin e qeverisë.

Vetëm pas 4 muajsh nga qeverisja e Kurtit, Hoti u zgjodh kryeministër i Kosovës me 61 vota pro.

06/08/2020 19:36

Veliu riaktivizon Planin e Reagimit Kombëtar