Lajme

“Vdekje e dytë” për Tafallarin, po konsiderohet dënimi i Inspektoratit ndaj “Bechtel & Enka”

12/07/2017 18:22
nga:A K

Për vdekjen e punëtorit Tafil Tafallari në vend e tij të punës, Inspektorati i Punës ka dënuar kompaninë “Bechtel & Enka” me 7 mijë e 500 euro.

Por, ky dënim po konsiderohet si vrasje e dytë e punëtorit Tafallari, pasi është i pamjaftueshëm dhe qesharak në raport me humbjen e një jete. Madje, kjo shumë po shihet e barbarët me çmimin e një veture të vjetër.

Organizata për mbrojtën e të drejtave të punëtorëve dhe në përgjithësi për mbrojten e të drejtave të njeriut nuk po e pranojnë këtë masë ndëshkimore ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”. Përfaqësues të këtyre organizatave po vlerësojnë se jeta e punëtorit është bërë në një forme aq e pavlefshme sa që po matet me pak euro.

Kryetari e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, Jusuf Azemi është i bindur se dënimi prej 7 mijë e 500 euro do të zvogëlohet edhe më shumë.

Ai, për Ndërtimi.info ka thënë se në shkallën e dytë dy dënim do të mbetet vetëm 1 mijë e 500 euro, derisa ka shtuar se ka pasur raste kur për lëndimin e punëtorëve kompanitë kanë marrë dënim më të madh, por që një gjë e tillë nuk ndodhi me “Bechtel & Enka”.

“Çështja e dënimit se kush e ka bërë atë vendim prej 7,500 euro është jashtëzakonisht qesharak sepse unë po them se tani jeta e një punëtori po kushton ndoshta sa një veturë e vjetër dhe nuk kemi vlerë më të madhe ne punëtorët. Është një vrasje e dyfishtë ta dënosh një kompani siç është ‘Bechtel & Enka’, me 7,500 euro për shkak të humbjes së një punëtori është më tepër se qesharake. Ne kemi raste të tilla nëpër kompani të tjera, të cilat me të vërtetë ndoshta vetëm se ka pësuar lëndime ka marrë dënim më të madh. Por, ju bëj me dije se kjo është vetëm shkalla e parë dhe jam shumë i bindur që në shkallën e dytë ky dënim prej 7,500 euro do të tkurret dhe ndoshta do të mbetet 1000 ose 1,500 euro”, është shprehur ai.

Duke shprehur pakënaqësinë me masën e marrë nga Inspketorati i Punës, Azemi shkon edhe më tej duke krahasuar me çmimin e një gjedhi dënimet me të cilat përfundojnë rastet e tilla.

“E kam bërë një krahasim sepse po të dalësh në treg dhe marrësh nja gjedh të lirë nuk mundesh ta gjesh ndër 2 mijë euro. Fatkeqësisht jetë e njeriut, e jona po lidhet me këtë. Sepse organet tona, ndodhi ky rast dhe pas një jave harrohen rastet dhe lihen prapa shpine me qëllime të caktuara. Unë jam i bindur që asnjë inspektor nuk dëshiron që jeta e punëtorit të humb, por megjithatë në momentin që ai nuk e jep maksimumin që të zbardhen rastet dhe për këto raste ta merr dikush dënimin e merituar”, ka shtuar Azemi.

Azemi gjithashtu ka theksuar se kompania “Bechtel & Enka”, punëtor i të cilës ishte edhe Tafil Tafallari, nuk lejon që ligjet të cilat janë për siguri dhe shëndet në punë të aplikohen në vendin e tyre të punës.

Ndërsa, Valton Marku nga Institutin për Kritikë dhe Emancipim duke cilësuar të pamjaftueshëm dënimin ndaj “Bechtel & Enka”, ka lënë fajtor institucionet përgjegjëse për rastin e Tafil Tafallarit

“Sikur Inspektorati i Punës dhe ‘Bechtel & Enka’ të ishin më përgjegjëse, punëtorët e bashkë me ta edhe të tjerët do të kishin një pasqyrë të zonave me potencialitet rreziku. Po ashtu, sikur këto të dyja të ishin të përgjegjshëm, do të ndërmerrëshin hapa konkret që nga vdekja e parë, por ja që nuk ndodhi kështu. Gjoba e Inspektoriatit të Punës është pozitive në vetvete por e pamjaftueshme. Ndoshta më mirë do të ishte që IP të skanonte vendet e punës në atë hapësirë dhe të rekomandonte përmirësime”, ka nënvizuar Marku.

Ai, ka shtuar se kushtet e papërshtatshme të punës që ka “Bechtel & Enka” vërtetohen kur buzë rrugës punëtorë të kësaj kompanie janë të ekspozuar në të ftohtë që qëndrojnë statik në kabina të improvizuara prej betoni. Por, sipas tij për këto raste me siguri mund të dëgjojmë pasi që përfundon tregimi tragjik i tyre.

E, dënimin që iu shqiptua kësaj kompanie nuk po e pranon as Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ).

Duke e cilësuar si të tmerrshëm dënimin në shkallën e parë, kryetari i KMLDNj-së, Behgjet Shala ka thënë për Ndërtimi.info se një dënim i tillë nuk ndodh askund në botë.

Por, këtë që tashmë ka ndodhur, Shala e lidh me politikën.

Sipas tij “Bechtel & Enka” mori dënimin prej 7 mijë e 500 euro pasi ka mbrojtje nga politika vendore dhe ajo ndërkombëtare.

“Po ndodh sepse “Bechtel & Enka” ka një kontratë jashtëzakonisht të fuqishme, ka lidhje me politikën vendore dhe ndërkombëtare dhe ata në një farë mënyre kanë krijuar një imunitet nga ndjekja. Për t’i paguar ato para të vdekjes së një punëtori është sikur t’i hargjonin ato para për kafe. “Bechtel & Enka”-n e mbron politika vendore dhe ndërkombëtare dhe kjo mund të jetë arsyeja pse ka qenë një dënim simbolik dhe kurrëfare hiç. Kjo është e pamoralshme që ka ndodhë”, ka theksuar Shala.

12/15/2017 20:14

Segmenti i dytë i autostradës ‘Arbën Xhaferi’ lëshohet më 22 dhjetor