Lajme

Vazhdon dëshminë në seancë private dëshmitari i 100-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

10/30/2024 10:45
nga:Sh R

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 100-të, i cili mban kodin W04809 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është duke dëshmuar në seancë private dhe sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III pyetjet për atë do t’i fillojë mbrojtja e Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari i 100-të e filloi të martën dëshminë e që pyetjet ndaj tij i filloi dhe përfundoi Zyra e Prokurorit të Specializuar në sesion privat për publikun.

Gjatë ditës së djeshme, gjykatësi Smith tha se të gjithë të akuzuarit do të jenë prezent përmes video-lidhjes gjatë seancës së sotme.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.