Sporti

Vazhdon bojkoti i madh në Superligën e Shqipërisë, përfshihet në “lojë” edhe deputeti Ylli

09/25/2020 14:30
nga:Mergim Rreci

Liga Profesioniste e Futbollit ka njoftuar me një komunikatë se i ka vendosur në dispozicion deputetit Fidel Ylli një dokument ku sqarohen më saktë kerkesat e Ligës ndaj Qeverisë dhe ajo çfarë do ta paraqesë presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit Edvin Libohova kryeministrit Edi Rama nëse do të ketë një takim mes tyre.

“Liga Profesioniste e Futbollit bën me dije se në vijim të takimit të datës 21 Shtator 2020 i ka përcjellë ditën e djeshme zotit Fidel Ylli një informacion të plotë në mbështetje të kërkesave që Liga i ka drejtuar Kryeministrit Rama në letrën e datës 10 Gusht 2020.

Materiali i përgatitur nga një grup ekspertësh fokusohet kryesisht tek ligji për sponsorizimet, si një akt ligjor i domosdoshëm për zhvillimin e sportit në Shqipëri, mbi bazën e standardeve dhe praktikave europiane.

Propozimet e paraqitura nga Liga në këtë dokument mbështesin qartësisht idetë dhe rrugëzgjidhjet për një hop cilësor në drejtim të administrimit, formalizimit dhe fuqizimit të sporteve në tërësi, jo vetëm të futbollit. Ne do të mbajmë të informuar në mënyrë të vazhdueshme publikun mbi zhvillimet e mëtejshme të këtij procesi”, shkruhet në komunikatën e Ligës.

Kujtojmë që prej javësh Superiorja ka mbetur e pezulluar dhe zgjidhja e këtij problemi duket të mos jetë e afërt.