Cult

“Valsi i dashurisë” – një realitet mes dy botëve

01/21/2019 15:57
nga:Gazeta Blic

Një roman që e ndërthur realitetin me imagjinatën në mënyrë të magjishme dhe mban lexuesin të ngërthyer në faqet e librit deri në fund të historisë. Ky është “Valsi i dashurisë”, pjesa I dhe II, libri më i fundit i autores së re, Jetlira Avdiaj.

Shkrimtarja e re vjen me këtë roman dypjesësh pas botimit të dy romaneve të tjera, përkatësisht “Liqeni dhe alienët” dhe “I nënti”, që të dyja me motive fantastiko-shkencore, mister dhe ngjarje të trilluara e të përpunuara mjeshtërisht.

Mirëpo, nëse bëjmë një krahasim me “Valsin e dashurisë”, shohim që ky i fundit është një kapërcim revolucionar krahasuar me dy romanet e para dhe flet për dashurinë e pazakontë të dy të rinjve. Leonardi, një agjent i zhytur në botën e krimit, dashurohet në Valbonën, studente e zellshme me një jetë të thjeshtë.

Jetët e tyre bëhen bashkë dhe rrëshqasin me delikatesë nën tingujt e valsit, derisa në një moment nota e lumturisë vritet nga muzikë krimi.

Gjashtë vite më vonë, një takim tronditës lëkund paqen e mjegullt të Valbonës dhe zjarri përvëlues i dashurisë trazon Leonardin, të përbetuarin e nëntokës.

Është e pazakontë të kemi në duar një libër ku na dalin personazhe me personalitete të shumëfishta, por ja që në “Valsin e dashurisë”, kemi më shumë se një personazh, i cili na paraqitet me pamje, histori dhe veprime të ndryshme, por që në thelb është i njëjti njeri.

Jetlira ka arritur t’i mbushë të gjitha zbrazëtirat në kuptim të ndërthurjes kohezive të personaliteteve të shumëfishta, por edhe të ruajtjes së kronologjisë së ngjarjeve dhe objektivitetit të narratorit.

Në “Valsin e Dashurisë” mund të gjeni historinë komplekse të disa familjeve, të cilave fati ua kryqëzon rrugët dhe në secilin personazh mund të gjeni, dikush më shumë e dikush më pak, ca nga vetja juaj. Me disa fragmente jete të detajuara, ky libër na ofron një refleksion të ndjenjave dhe emocioneve që ka secili nga ne, por të gjitha këto bëhen më të fuqishme kur në skenë del ‘e ndaluara’, të cilën autorja e ka përdorur shkëlqyeshëm për të paraqitur në kontrast konceptin e sakrificës.

“Valsi i dashurisë” ndërthur në mënyrë të përsosur jetët e njerëzve që marrin frymë në botë krejtësisht të ndryshme.

Ai trajton sfidat, sakrificat, krimin e organizuar, ndjenjat, e mbi të gjitha, fuqinë kolosale të dashurisë. Një copë nga jeta e secilit prej nesh, fshihet në aventurat e rrezikshme të protagonistëve që kaq gjallërisht vijnë e na ulen pranë, teksa shfletojmë faqet e librit.
Ky libër i qëndron besnik realitetit dhe eksploron shkujdesur në imagjinatën e autores, duke na përthithur rrëmbyeshëm në vorbullën e ngjarjeve.

Me këtë, autorja Jetlira Avdiaj na jep një sinjal të qartë që këto botime nuk janë aksidentale dhe në veçanti me “Valsin e dashurisë” na dëshmon që ajo është një talente e rrallë që me punën e saj premton shumë.