Lajme

Valdete Dakën nuk e lodhi viti zgjedhor

12/30/2017 12:28
nga:A. R.

Pavarësisht se këtë vit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizoi dy palë zgjedhje dhe balotazh për kryetar komunash, kryetarja e këtij institucioni, nuk ndjehet aspak e lodhur.

Në një intervistë për KosovaPress, Valdete Daka flet për momentet më të vështira gjatë këtij viti, se kush është më i zhurmshmi në KQZ, dëshira e saj për ta lënë punën këtu dhe emërimi nga presidenti sërish në krye të KQZ-së.

Daka thotë se përkundër asaj se janë bërë 8 vite prej kur është angazhuar në KQZ, megjithatë do të vazhdojë të japë kontributin e saj aty.

E si rezultat i angazhimit të saj të madh në KQZ, ajo tregoi se si ndonjëherë familjarët janë ankuar për mungesën e saj në shtëpi, ndërsa theksoi se megjithatë ata janë mësuar me këtë gjë.

Daka: Puna në KQZ është një eksperiencë e jashtëzakonshme

“Jo nuk jam lodhur. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Dhe mund të them se kjo eksperiencë në fund ka rezultuar me çmimin e parë të cilin sapo e kemi marrë si KQZ për organizim të mirë të zgjedhjeve dhe ka qenë një sfatisfaksion moral mund të them edhe për mua, edhe për KQZ-në, për gjithë ato që kemi përjetuar tashmë 7 vitet e fundit. Sepse iu rikujtoj se Kosova ka kaluar nëpër cikle të ndryshme të zgjedhjeve”, tha Daka.

Vitin që e lamë pas, sipas saj lirisht mund të quhet vit i KQZ-së, pasi që viti 2017 u përcoll me zgjedhjet qendrore e lokale më të mira të organizuara ndonjëherë në Kosovë.

E decertifikimi i kandidatëve del të jetë vendimi më i vështirë që është dashur të marr gjatë punës si kryetare e KQZ-së.

Daka: Vendimi më i vështirë ishte ai për decertifikimin e kandidatëve

“Ka pasur vendime të vështira. Ka qenë vendimi për decertifikimin e kandidatëve. Ky ka qenë vendimi më i vështirë do të thotë. Vendimi i cili ka sjellë më së shumti dilema edhe në KQZ, por edhe në publik. Vendimet tjera, janë vendime të cilat i kemi marrë zakonisht në KQZ”, tha ajo.

Aplikimi për kryetare të Gjykatës Supreme, sipas Dakës se ishte rrjedhojë e përfundimit të mandatit në KQZ, dhe se nuk kishte të bënte me dëshirën e saj për t’u larguar nga puna e saj aktuale.

Daka: Nuk kam dashtë të largohem nga KQZ

“Në fakt nuk kam dashtë të largohem. Mandati im ka skaduar në qershor, por për shkak të zgjedhjeve është vazhduar. Ndërkaq unë jam gjyqtare dhe dëshira ime ka qenë që të jem kryetare e Gjykatës Supreme, por nuk ia arrita”, tha ajo për KosovaPress.

E pyetur rreth asaj se cilët janë anëtarët më të zhurmshëm dhe cilët më të qetë, Daka nuk përmendi emra, por pranoi se të dyja këto grupe prezantojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Daka: KQZ-ja ka anëtarë më të zhurmshëm dhe ka më të qetë

“Mirë e thatë. Ka më të zhurmshëm, ka më të qetë, por gjithsesi ka pasur shumë anëtarë të cilët tash nuk janë këtu, kanë përfunduar mandatet apo janë zëvendësuar, apo subjektet e tyre nuk kanë fituar ulëse në parlament dhe nuk janë pjesë e KQZ-së. Por gjithsesi unë kam kaluar jashtëzakonisht mirë dhe shpresoj se edhe ata kanë kaluar mirë me mua”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, për gjithë punën e saj në KQZ, Valdete Daka theksoi se është dashur një angazhim i madh i saj dhe gjithë stafit, me theks të veçantë këtë vit, pasi që Kosova pati zgjedhjet parlamentare dhe lokale, ku këto të fundit u pasuan edhe nga balotazhi.

E pyetur nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pëlqimin e saj para se t’i vazhdojë mandatin në KQZ, Daka tha se për këtë nuk pati pyetje fare./N.Jakupi/

12/08/2019 08:54

KQZ: Brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve asgjësohet materiali zgjedhor