Me ceremoni solemne, sot Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina” shënoi 53-vjetorin e themelimit të tij.
Në këtë ceremoni morën pjesë qeveritarë, rektorë dhe zëvendësrektorë të universiteteve publike shqiptare, akademikë, anëtarët e Këshillit Drejtues, dekanë dhe senatorë, partnerë, pjesëtarë të stafit akademik dhe administrativ, studentë dhe familjarë, shkruan Gazeta Blic.
Këtë solemnitet e hapi i pari i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili theksoi se 53 vjet në universin e ekzistencës sonë kolektive mund ta portretizojnë vetë historinë.
Rektori Qerimi, ndër të tjerash, foli për misionin e UP-së, duke theksuar se përpos rolit social, UP-ja ka mision të përjetshëm e të pandryshueshëm gjetjen e së vërtetës. “Gjetja e së vërtetës kërkon për pasojë përpjekje të përhershme. Që të ndriçohet e vërteta, neve na duhet argumenti, arsyeja, eksperimentimi, këto shpesh të testuara në shpjegimet dhe idetë e kundërta. Ky është funksioni i një institucioni të lartë të dijes, një laborator masiv, ku studiuesit e studentët mendojnë, debatojnë dhe mbledhin dëshmi në mbështetje të teorive dhe botëkuptimeve të tyre”, u shpreh rektori Qerimi në fjalën e tij.
Ditën e Universitetit e uroi edhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti. Në fjalimin e tij, Kurti foli për aktin e themelimit të universitetit, nisur që nga demonstratat e vitit 1968, me parullat “Duam universitet”, rëndësinë e institucionit në prodhimin e dijes, të vërtetës dhe ushtrimit të subjektivitetit, si dhe ndikimin që UP-ja ka në shtetndërtim.
“Sot nën shtetësinë dhe pavarësinë e republikës sonë nuk ka institucion me rol dhe kontribut më të madh se Universiteti i Prishtinës. Andaj, teksa kremtojmë ditëlindjen e universitetit tonë, ne kremtojmë vetë rritjen tonë si shtet”, veçoi Kurti.
Mbi idealin e krijimit të UP-së dhe potencialin e tij iluminues foli kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, foli për bashkëpunimin ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës dhe përgjegjësinë që këto institucione kanë për identifikimin dhe adresimin e nevojave të shoqërisë.
Përmes videomesazheve dhe korrespodencave, përvjetorin e 53-të të UP-së e uruan edhe rektori i Universitetit të Zagrebit, profesor Stjepan Lakushiq, akademik Ismail Kadare dhe rektori i UP-së në vitet 1975-79, prof. dr. Feriz Krasniqi.
Gjatë kësaj ceremonie, u ndanë edhe mirënjohjet për studentët e dalluar të njësive akademike të UP-së, si dhe me motivacionin “për shërbimin e tyre për universitetin” u ndanë mirënjohje edhe për ish-pjesëtarë të stafit administrativ të UP-së.
Gjatë kësaj ceremonie ka performuar edhe studentja e pianos në UP, Melisa Ibrahimi, si dhe sopranoja Zana Abazi-Ramadani, e shoqëruar nga orkestra kamertale nga Fakulteti i Arteve.
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.