Sporti

United gati të rrëmbejë vendin e tretë në Premier, Interi për të siguruar Championsin

07/13/2020 13:00
nga:Gazeta Blic

Manchester United – Southampton (ora 21:00), është ndeshja përmbyllëse e javës së 35-të të Premier Leagues.

“Djajtë e Kuq”, të cilët kanë si objektiv minimal vendin e katërt në kampionat, që u jep mundësinë të luajnë në Champions sezonin e ardhshëm, “fituan” ende pa zbritur në fushë në këtë raund. Ata morën një dhuratë të pabesueshme si nga Chelsea ashtu edhe nga Leicesteri, që u humbën sfidat respektive: blutë e Londrës u mposhtën thellë 3-0 nga Sheffield Utd, ndërsa “Dhelprat” u dorëzuan 1-4 në fushën e Bournemouthit.

Sigurisht që kjo ndihmë e parpritur që i erdhi skuadrës së drejtuar nga Gunnar Solskjaer nuk do të ishte e vlefshme nëse United nuk fiton ndeshjen e radhës në “Old Traford”. Në rast suksesi, “Djajtë e Kuq” do të katapultoheshin në vendin e tretë, pasi distanca aktuale është -2 nga Chelsea dhe -1 nga Leicesteri.

Një tjetër faktor në krah të Manchester United është fakti që Southamptoni nuk ka çfarë objektivash të arrijë në ndeshjet e mbetura, pasi e ka të pamundur të synojë zonën europiane, por gjithashtu është edhe i shpëtuar nga rënia, pasi renditet në mesin e tabelës me 44 pikë.

Edhe në Serinë A luhet ndeshja përmbyllëse e javës, Inter – Torino, me start në orën 21:15. Sigurisht që pikët e shumta të lënë në ndeshjet pas pauzës për shkak të pandemisë e kanë nxjerrë jashtë gare për titull skuadrën e Antonio Contes, e cila mund të rikthehet në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Lazion, në rast suksesi ndaj skuadrës “granata”, që mbetet e rrezikuar pasi ka grumbulluar vetëm 5 pikë më shumë se Lecce e vendit të 18-të.

Sa i përket formacionit që Conte do të hedhë në fushë, mungon për një shqetësim muskular Lukaku, kështu që dyshja e sulmit pritet të jetë Lautaro dhe Sanchez, me Eriksen në rolin e trekuartistit nga minuta e parë.

Rikthehet nga skualifikimi Bastoni, që do të marrë vendin e tij në mbrojtje krah Skrinarit dhe De Vrij, ndërsa në krah Biraghi është i avantazhuar ndaj Young.