Lajme

Tusk ishte i qartë: S’ka BE pa normalizim të marrëdhënieve

04/26/2018 18:16
nga:A. R.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka porositur institucionet kosovare që të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedime, në të kundërtën Kosova nuk mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Tusk tha se Kosova ka shënuar progres duke veçuar votimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo, sipas Tusk, ende mbetet punë për tu bërë, sidomos në procesin e bisedimeve me Serbinë.

“Pa një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe implementim të plotë të marrëveshjeve, unë nuk di se si mund të arrihet përparim në raportet me Bashkimin Evropian. E di se do të jetë e vështirë, por unë ende jam optimist, dhe pas takimit të djeshëm me Aleksander Vuçiç dhe takimit të sotëm më presidentin tuaj jam më optimist”, tha Donald Tusk.

Presidenti Tusk, tha po ashtu se vizita në rajon kishte për qëllim parapërgatitjet për Samitin për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet me 17 maj në Sofje të Bullgarisë. Deklaratat ai i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili deklaroi se ai është i përkushtuar ndaj procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Sipas Thaçit, procesi i bisedimeve duhet të përfundojë me njohje reciproke mes të të dyjave vendeve.

“Kosova mbetet e interesuar jo vetëm ta vazhdoj dialogun me Serbinë, por ta kthej atë në një proces te mirëfilltë të pajtimit dhe ndërtimit të paqes së qëndrueshme në rajon”, u shpreh Thaçi.

Për dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi tha se do të bisedojë edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel më 9 maj në Berlin. Para Prishtines Tusk u ndal në Beograd, ku po ashtu e vuri theksin tek normalizimi i marrëdhënieve.

Top Channel

12/11/2019 07:22

Josep Borrell ju shkruan letër ministrave të BE-së për Kosovën