Bashkëshortja e një politikani të burgosur kurd është dënuar me dy vite e gjysmë burgim në Turqi për shkak të një shpërputhjeje në një raport mjekësor kur e akuzuara kishte pasur shtatzëni të dështuar. Ky vendim po cilësohet si përndjekje e tmerrshme politike.
Një gjykatë në Diarbakir dënoi me nga 30 muaj burgim zonjën Basak Demirtas, mësuese, dhe mjekun/en e saj për dorëzim të një raporti të falsifikuar mjekësor, raportoi një agjenci kurde e lajmeve.
Akuzat në këtë rast, që filluan në mars të vitit 2018, lidhen me pranimin në spital dhe dy operacionet rreth dështimit të shtatzënisë që zonja Demirtas e kishte pësuar në vitin 2015. Sipas ekipit ligjor të saj, mësuesja u akuzua për mashtrim, sepse dokumenti i mjekut/es për pesë ditë pushimi mjekësor nga puna ishte lëshuar gjatë një termimi më 11 dhjetor 2015, por gabimisht e kishte datën e 14 dhjetorit 2015, tri ditë më vonë.
Demirtas më pas kishte marrë pushim pa pagesë për pjesën e dytë të gjysmëvjetorit të vitit shkollor 2015-2016 për t’u shëruar, shkruan The Guardian.
“Dënimi me 2 vite e gjysmë burgim për një gabim të thjeshtë në lidhje me të dhëna mjekësore është i tmerrshëm dhe duket përtej logjikës. Thjesht duket shumë politik. E jep masën e gjendjes shqetësuese të sistemit turk të drejtësisë”, tha Nacho Sanchez Amor, raportues i Parlamentit Evropian për Turqinë.
Bashkëshorti i gruas së dënuar, Selahattin Demirtas, ish-kryetar i Partisë Demokratike Popullore, që i përkrah kurdët, është një nga politikanët e profilit të lartë që janë burgosur në vitet e fundit. Ai ishte burgosur pasi partia e tij kishte fituar ulëse të mjaftueshme për ta shkatërruar shumicën parlamentare të Presidentit Erdogan dhe përballet me më shumë se 100 akuza, shumica të lidhura me terrorizmin. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.