Opinion

Trump – Orfeu në DC

D.ID.I

Nëse vazhdohet kështu Donald Trump do të përjetësohet si presidenti më i pa pushtet në historinë e presidentëve të SHBA-ve. Administrata e tij u përngjanë atyre gardianëve të psikiatrisë, të cilët, detyrën kryesore kanë që ta parandalojnë të çmendurin mos ikë nga qelia – kështu së paku e përshkruajnë ekspertët europianë konfliktin e Trump-it me administratën e tij.

Si sillet administrata në DC me presidentin e ri amerikan?», e pyetëm një diplomat amerikan që vërdallet me misione lartë poshtë Europës. Kështu u përgjigj ai: «Shumë mirë. Aq me dashuri dhe respekt siç u sollën gratë trake ndaj Orfeut. Sidomos ata të sigurisë dhe diplomacisë e shenjtërojnë». Ndaj ndonjë bashkëbiseduesi të papajisur me mësimet rreth Orfikës, kjo deklaratë si dhe mimika gatistatike e diplomatit, do të ishin dinakëri tinëzare, mashtrim, dredhia në person. Kështu ngase fjalia e parë dhe gjysma e së dytës janë në kundërshti faktike me pjesën e fundit të fjalisë së dytë. Dhe demonstrimin e kësaj që pohojmë, pandehim nuk mund ta bëjmë pa shënuar telegrafisht historinë e Orfeut në raport me trakezet:

I biri i Apollit dhe muzës Kaliope, poeti dhe rapsodi Orfe dashurohet dhe martohet me bukuroshen driadike Euridike. Ende pa përfunduar efekti i muajit të mjaltit vdes nimfa. Orfeu e ka një plan se si ta kthej gruan e tij sërish në botën e të gjallëve: me muzikë! Shtrëngon me dy duar instrumentin e tij, Lyrën, dhe ia mësynë Hadesit, nëntokës, atje ku para portës e pengojnë hyrjen Karon-i dhe Kerebros-i. Me muzikën si ashtu demoniake Orfeu ia del t’i zbus e mashtrojë gardianët e portës së ferrit. Fatkeqësisht bass-in, e vajtuesit e dëgjon edhe perëndesha e përtejsisë Persefona. Kjo e tërbuar kthen Euridiken në ferr dhe shkelmon Orfeun jashtë. I hutuar, i tmerruar dhe duke kënduar vazhdon të pezmatojë Orfeu veshët e Trakisë. Ishin gratë e këtij rajoni, ato që vendosën t’i japin fund terrorizimit: i prenë trupin në pjesë Orfeut dhe kokën ia hodhën në lumë. Dhe ajo koka ashtu duke notuar, nuk ndalej së kënduari. Ajo, koka e tij, këndon edhe sot gjithandej, edhe në twitter nëpërmjet nofkave si «Zombie Orpheus», «Orpheus Pegley», «Czar Orpheus» ose edhe me pseudonime totale si «@realDonaldTrump» e të ngjashëm.

*
U kuptuam tash se ç’kuptim kanë fjalët e diplomatit amerikan «Shumë mirë. Aq me dashuri dhe respekt» kur përshkroi raportin e presidentit amerikan Trump me administratën e tij? Edhe pa dekodimin apo asistencën me retorikën zemërgjerë të diplomatit, ekspertët e politikës amerikane që moti pandehin se; «Departamentet kryesore të shtetit më shumë veprojnë duke korrigjuar apo evituar eskapadat e presidentit Trump që i paralajmëron në twitter, se sa të merren me punë tjera të rëndësishme»! Se ky konstatim nuk është vetëm hipotezë e dinë edhe lexuesit e rëndomtë e të vëmendshëm të ngjarjeve në SHBA. Plotë thonë e shkruajnë, pushteti i Trump të jetë vetëm ceremonial, edhe pse problematik dosido. As vajza e tij nuk e marrka më seriozisht presidentin frizurëçartur. Melania si ashtu mbijetuaka si kukull, vetëm sa për rend e kuvend, gjithçka që iu lejuaka qenka refreni me aksent slloven MAGA [Make America Great Again].
Gjitha këto që radhitëm më lartë mund t’i devalvonim si spekulime bulevardistësh bjerrakohës nëse ngjarjet e shumta nuk do t’i arsyetonin ato. Veprimtaria e administratës amerikane vërtet qëndron në diskrepancë të plotë me ato që kërkon Trump, sepse; po të bënte administrata siç u zotua e premton Trump sot Kim Jung-Un do të ishte gardiani i tretë, njëri ndër ata që me urdhër të Persefonës do ta pengonin Orfeun të futet në Hades; po të vepronte CIA sipas bindjeve të Trump-it, sot, Hisbollahët e Teheranit do të luanin shah me Osama Bin Ladenin në ndonjë bodrum të Pakistanit; po të bënin gjeneralët çka u thotë Trump, tashmë Putini do të shpresonte në një dimër të fortë si ai LDB-së në Ukrainë, Ballkan e gjetiu ku raketat dhe shërbimet e tij kanë futur jo vetëm hundët; po ta dëgjonin gjykatat amerikane Trumpin jo se nuk do shkelte më këmbë myslimani atje, por edhe ata që kanë lindur aty do të shkaktonin eksod dhe; dhe po të donin SHBA-të vërtetë që Jerusalemi të jetë kryeqytet i Izraelit, kundër do të votonin vetëm ata që ende jetojnë nën presionin dhe iluzionin e luftës së ftohtë e assesi tjerët- shumica.

*
«Causa Jerusalem» besojmë ta ketë shpaluar më së bukuri se si e percepton diplomacia amerikane politikën e Trump-it. Ajo e konsideron atë si «docta ignorantia», ashtu siç e formulonte edhe vetë Nicolaus Cusanus, si padije e mësuar, ushtruar deri në orakullëzimin twitteresk të saj. Nimrata Nikki Haley e dinë se kërcënoi kot. Respektivisht dhe de facto ajo nuk kërcënoi shtet që votuan kundër propozimit amerikan, por kolegët e saj, ambasadorët amerikanë në Evropë, Afrikë dhe në Lindjen e Mesme, të cilët sabotuan propozimin e presidentit të tyre, jo duke mos përdorur fuqinë e tyre për të lobuar tek qeveritë që i kanë satelite dhe nën kontroll total, por përkundrazi duke u sugjeruar atyre të votojnë kundër ose maksimalisht të abstenojnë.
Vërtet beson dikush se po të angazhohej aparati i SHBA-ve me gjithë arsenalin e tij do ta refuzonin madje edhe shtetet aq periferike dhe totalisht të pavarura nga Uashingtoni propozimin e një presidenti amerikan? Asnjëherë.
SHBA-të, ende, as me Trump-in nuk janë vërtet në atë gjendje si në portretin që ua ka bërë T.C.Boyle portretin në romanin «World’s End» [1987]. Çka muajve që vijnë pritet të shihet është se në ç’formë do të hakmerret Trump ndaj administratës së tij! Si ndonjë «Blind Man with a Pistol» i Chester Himes-it kundër diplomacisë së tij “sorrosiane”, apo do të racionalizohet duke kuptuar se politika amerikane është e traditës, shtigjeve të gjata dhe se ai nuk mund të shkatërrojë një doktrinë disadekadëshe amerikane vetëm me një postim në twitter. Jerusalemi ishte murri ku ai pa se hyri në histori si presidenti më i pafuqishëm që se janë krijuar SHBA-të.

 

01/19/2018 11:19

Kosova udhëheq në botë me përkrahjen ndaj Trumpit