Sporti

Tri ndeshje sot në Superligën e Kosovës, derbi në Gjilan

07/08/2020 09:06
nga:Lorik J

Sot fillon xhiro e 29-të e Superligës së Kosovës në futboll.

Tri ndeshje luhen sot, për të vazhduar një prej kampionateve më të mira të pasluftës, ku akoma nuk është e ditur asgjë sa i përket kampionit – dhe rënies nga liga, përcjell GazetaBlic.

Drenica në shtëpi e pret Ferizajin, në takimin ku ekipi nga Skenderaji kërkon tre pikët për siguri, ndërsa Ferizaj gjithashtu udhëton për rezultat pozitiv për shkak të renditjes tabelare.

Drenica ndodhet në vendin e 8-të me 35 pikë, kurse Ferizaj ndodhet në zonën e kuqe, vendin e 10-të me 26 pikë.

Ballkani ka gjithashtu një duel të vështirë në Suharekë, ku pret Llapin e Tahir Batatinës – që pas rikthimit të futbollit ka pasur rezultate të luhatshme.

Ekipi i Munishit ndodhet në vendin e tretë me 5 pikë largë kreut dhe me fitore do të kërkonte ngjitjen në tabelë, kurse Llapi është 5 pikë largë zonës së kuqe dhe gjithashtu dëshiron këndelljen pas disa rezultateve negative.

Në Gjilan, luhet super derbi mes Gjilanit dhe Prishtinës.

Vendi i dytë, Prishtina udhëton për tu përballur me vendin e katërt në tabelë. Dy skuadra pretendente për titull që luajnë direkt për një qëllim, për fitoren që mund të jap shtysë të madhe për titull.

Të gjitha këto duele luhen nga ora 17:00.

/GazetaBlic