Sporti

Trepça fiton sfidën ndaj Borës dhe ngjitet në krye të tabelës

12/17/2025 00:01
nga:Mergim Rreci

Trepça ka shënuar një fitore në ndeshjen e mbetur të javës së pestë të ProCredit Superligës, duke mundur Borën me rezultat 90:72 në ndeshjen e zhvilluar në Mitrovicë.

Me këtë triumf, kampionët mitrovicas dalin në vendin e parë në tabelë me tetë fitore e tri humbje, ndërsa kjo ka qenë humbja e parë për Borën pas katër fitoreve radhazi. Prishtinasit tani kanë pesë fitore dhe gjashtë humbje në total.

Ndeshja në palestrën “Minatori” ka qenë mjaft e luftuar, por diferencën e ka bërë periudha e tretë, ku Trepça ka shënuar tridhjetë e tetë pikë, ndërsa Borës i kanë shkuar vetëm njëmbëdhjetë pikë, duke vendosur kështu fatin e takimit.

Te Bora më i dalluari ka qenë Shaquan Jules me njëzet e pesë pikë e njëmbëdhjetë kërcime. Te Trepça, janë dalluar Drilon Hajrizi me njëzet pikë, ndërsa Mikaile Tmusiq ka shtuar katërmbëdhjetë pikë, pesë kërcime, pesë asistime dhe gjashtë topa të vjedhur.