Lajme

Tre pacientë në gjendje shumë të rëndë nga Koronavirusi

03/28/2020 13:03
nga:Y I

33 persona të infektuar me COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Për gjendjen e tyre ka folur infektologu, Salih Ahmeti.

Shtatë prej të infektuarve janë në gjendje të rëndë e sidomos tre prej tyre janë shumë keq.

“Aktualisht në Infektivë janë të shtrirë 33 persona të infektuar. Gjendja e shtatë prej tyre është e rëndë, sidomos tre janë në gjendje shumë të rëndë. Janë duke u trajtu me terapi, tash ta shohim”, ka thënë Ahmeti për Express.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 88.

Sipas IKSHP’së, një prej rasteve është me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë.

“Sot me 27.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 108 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftim.