Shumë emra për pankinën e Milanit. Epoka Stefano Pioli ka mbaruar, me palët që po presin fundin e sezonit për t’u ndarë, ndërkohë që emri i trajnerit të ri ka krijuar kaos dhe paqartësi te tifozët e kuqezinjve.
Emrat në qarkullim janë të shumta, disa prej tyre nuk ngjallin asnjë emocion, ndërkohë që i preferuari i masës më të madhe të tifozëve është Antonio Conte.
Ndryshe mendojnë në klub, aty ku në krye të listës së dëshirave për momentin qëndron Paulo Fonseca. Aktualisht trajneri i Edon Zhegrovës te Lille në Ligue 1. 51-vjeçari ka drejtuar Romën në Serie A (2019-2021).
Fonseca është një teknik i fokusuar drejt futbollit sulmues, ndërkohë që punon shumë mirë edhe me të rinjtë. Cilësi që kërkojnë drejtuesit e “Djallit” nga pasardhësi i Piolit. Shërbimet e tij i kërkon edhe Marseille.
Nëse nuk arrihet marrëveshja me portugezin, Milani do të zgjidhte për trajnerin e së ardhmes njërin mes Sergio Conceicaos (Porto), Gallardos (Al-Ittihad) apo Mark van Bommel (Royal Antwerp).