Lajme

Tragjedia e mbrëmshme në Mitrovicë: I vdekuri dhe i plagosuri ishin vëllezër

07/10/2021 12:05
nga:M K

Si pasojë e të shtënave me armë pas mesnate në Mitrovicë – një person ka vdekur e një tjetër ka mbetur i plagosur.

D.S nuk arriti t’ju mbijetojë plagëve të marra teksa ndërroi jetë në Spitalin e Mitrovicës.

Klan Kosova merr vesh se i vdekur dhe i plagosuri mes vete ishin vëllezër.

“Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë”, kanë thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Rreth orës 02:00 nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S, 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor.

Nga hetimet e deritashme, Policia ka vënë në shënjestër dy të dyshuar të cilët janë në kërkim policor, dhe identiteti i të cilëve është i njohur për Policinë.

“Nga hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim të arrestimit të personave të dyshuar si dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, tha Zahiti.