Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, në një konferencë për media ka prezantuar 50 vendimet që do t’i realizojë gjatë 100 ditëve të para, nëse zgjidhet kryetar.
“50 vendimet e para që do t’i marr si kryetar i komunës në 100 ditëshin e parë, janë vendime të cilat në mënyrë praktike dhe direkte do të përmisojnë cilësinë dhe kualitetin e jetës së qytetarëve, janë vendime të cilat janë të realizueshme, sepse janë në kompetencën e kryetarit të komunës, dhe gjithashtu në kuadër të mundësive buxhetore”, ka thënë Totaj.
“Këto janë vendime që kanë të bëjnë kryesisht me pikat programore, pra kanë të bëjnë me arsim më cilësorë, me infrastrukturë më të mirë, me pastërtinë e qytetit, dhe në përgjithësi me një vlerë të shtuar të jetës në qytetin e Prizrenit”.
Tutje, Totaj u shpreh se do t’ia rikthejë shkëlqimin Prizrenit.
“Jo vetëm se do t’i fitojmë këto zgjedhje, por do të qeverisim shumë më mirë, teksa përfundimisht Prizrenit do t’ia rikthejmë shkëlqimin”.
Tutje, Totaj ka folur për disa nga vendimet që do t’i realizojë.
“Inicimin e procedurës për vlerësimin për ndërtimin e çerdheve të reja publike dhe identifikimin e lokacioneve të përshtatshme, formimin e ekipit punues për krijimin e programit mjekë për çdo familje, formimi i ekipit punues të komunës në bashkëpunim me komunitetin e biznesit për funksionalizimin e zonës ekonomike, inicimi i procedurave për formimin e ekipit kordinues dhe menagjues të fondit të veçante për projekte inovative”, ka thënë Totaj.