Sporti

Tirana vazhdon marshimin drejt titullit, Abazaj në limite “nderon” Kukësin

06/03/2020 19:17
nga:Lorik J

Beteja për titullin kampion në Superiore, u rikthye sot, me rifillimin e futbollit. Dhjetë ekipet e elitës së futbollit shqiptar zbritën në fushë, por vëmendja më e madhe ishte padiskutim te dy ekipet e kreut, Tirana dhe Kukësi.

Bardheblutë e drejtuar nga Egbo kishin një transfertë shumë delikate kundër Bylisit, por ia dolën që të marrin tri pikët e plota. Cobbinah shënoi një supergol në minutën e 26-të, me një kthesë të bukur brenda zonës.

Batha në sekondat e fundit të fraksionit të parë, dyfishoi nga pika e bardhë. Peposhi në të 66-ën “stresoi” disi Tiranën, por kryeqytetasit shënuan serish me anë të Gentian Muçës në minutën e 72-të.

Edhe Kukësi arriti të fitojë në “Elbasan Arena”, duke mposhtur me rezultatin 2-1 Luftëtarin. Verilindorët kaluan të parët në avantazh me anë të Gavazaj, që në minutën e tetë të sfidës, duke konkretizuar me gol një aksion të bukur nga e majta.

Gjithsesi, Luftëtari arriti të barazojë në minutën e 68-të, minutë kur Mehmetllari u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në sekondat e fundit, Kukësi ia doli të triumfojë, falë një goli të shënuar nga Abazaj.

Bardheblutë e Egbo ngjiten në kuotën e 56 pikëve, ndërsa Kukësi me triumfin në Elbasan, shkon në kuotën e 47 pikëve. Tirana vazhdon serinë e fitoreve, ndërsa Kukësi duket se nuk është dorëzuar ende në garën për titullin./ABCNews