Lajme

Times of Israel: Kosova ia ofroi Izraelit ambasadën në Jerusalem tash e sa vite

09/06/2020 10:54
nga:Sh Xh

Të premten, Kosova dhe Serbia u zotuan të hapin ambasadat e tyre në Jerusalem. Nëse ato realizojnë premtimin, atëherë numri i shteteve me ambasada në Jerusalem do të dyfishohet – nga dy në katër, shkruan të dielën gazeta izraelite “Times of Israel”.

Paralajmërimet e Beogradit dhe Prishtinës, të bëra në Washington pas atij që duket të jetë presion i madh i administratës amerikane, janë një arritje diplomatike e radhës për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ndonëse më pak dramatike sesa mund të mendohet.

“E përshëndes marrëveshjen me Kosovën, që do të jetë shteti i parë mysliman që hap ambasadë në Jerusalem. Serbia do të jetë shteti i parë evropian që hap ambasadë në Jerusalem”, ka thënë Netanyahu të shtunën mbrëma.

Ndërkohë, ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan ka tërhequr paralele midis Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Si thekson “Times of Israel”, me gjithë reagimin e palestinezëve ndaj Prishtinës dhe Beogradit, paralelet midis Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe janë të paqëndrueshme. Për dallim prej shtetit në Gjirin Arab – që deri rishtaz e ka kritikuar vazhdimisht Kosovën – Republika e Kosovës është munduar të vendosë raporte me Izraelin që para shpalljes së pavarësisë nga Serbia, më 2008.

“Kosova nuk e ka njohur Izraelin jo për shkak se popullsia e saj, me shumicë myslimane ishte kundër, por shkaku që Izraeli nuk e kishte njohur Kosovën”, shkruan “The Times of Israel”.

“Izraeli nuk donte ta mbështeste shkëputjen e një pakice”, i ka thënë gazetës Yigal Palmor, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kosovës në kohën kur Kosova e shpalli pavarësinë.

Në të vërtetë, palestinezët iu referuan rastit të Kosovës asokohe dhe u zotuan ta përsërisin.

“Populli ynë ka të drejtë ta shpallë pavarësinë madje edhe para Kosovës”, kishte deklaruar më 2008 një zyrtar i lartë i Autoritetit Palestinez. “Dhe ne kërkojmë mbështetjen e SHBA-së dhe Evropës për pavarësinë tonë”.

Kjo gazetë izraelite i referohet një interviste më 2007 të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. “E dua Izraelin. Çfarë shteti i mirë. Kosova është mike e Izraelit”, kishte thënë ai.

Thaçi në shtator të 2018-tës kishte premtuar shkëmbimin e njohjes prej Izraelit me vendosjen e ambasadës në Jerusalem, shkruan kjo gazetë.

“Nëse Kosova njihet nga Izraeli, ambasadën do ta vendosja në Jerusalem”, kishte premtuar ai.

Palestina me kërkesë për Kosovën dhe Serbinë

09/17/2020 19:47

SHBA: E pakuptueshme zvarritja e gjykimit të djegies së ambasadës në Beograd