Cult

Tik-tak, tik-tak, DokuFesti po fillon

08/05/2020 21:30
nga:N S

Rruga deri tek sheshi Shatërvan i Prizrenit, nuk merr më shumë kohë se njëzet minuta nisur nga cilido drejtim. Rrugës ju mund të shihni dyqane nusërie apo lokale me zeje të vjetra si karakteristikë e qytetit historik dhe kulturor të Kosovës.

Tek jeni afër sheshit, ju keni përballë vetes shumë ura dhe një lum që ndan qytetin në mes. Këtu e tutje ju presin shumë zgjedhje. Ju mund të ecni në Parkun e Marashit, që gërsheton ujin dhe natyrën e pastër. Në një mëngjes ju mund ta prisni lindjen e diellit nga Kalaja e Prizrenit, që gjendet sipër qyteti pak minuta larg sheshit kryesor. Në keni ardhur në Prizren me të dashurën/in apo bashkëshortin/ten tuaj, ju mund të vendosni një çelës në ‘Urën e Dashurisë’. Xhamia e Sinan Pashës apo Kisha Ortodokse ju presin mu në mes të sheshit në një distancë shumë të vogël, teksa pak metra larg tyre ju mund ta vizitoni edhe objektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Tutje, ju mund të pini ndonjë çaj të zi apo ndonjë birrë peje në lokalet e ngushta me konstruksion prej druri në rrugicat e shumta që janë të ndara në brendi të sheshi, rrugicat e bukura me kalldërm. Nëse jeni adhurues i ushqimeve internacionale, kemi lajme të këqija për ju. Këtu gjeni ushqim tradicional, ku kryefjala janë qebapët e shijshme, dhe gjithçka përgatitet në skarë po thuajse në secilin restorant që hyni.

Qytetarët janë përgjithësisht të qetë dhe të shoqërueshëm. Këtu do të përballeni me një multikulturalizëm të prekshëm. Nëse dini ndonjë fjalë turqisht, kjo do ishte e dobishme për juve, sepse të tilla do dëgjoni shumë. Po ashtu pjesë e Prizrenit është edhe komuniteti RAE, të cilët me tarabuka në duar i japin qytetit një atmosferë impozante. Turistë të shumtë nga vendi dhe nga jashtë do takoni pa asnjë mëdyshje.

Përgjithësisht kjo është një tablo virtuale e cila duhet të shijohet në realitet. Kjo është atmosfera e jashtëzakonshme e verës, e muajit gusht, e Festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DukuFest” tash e 19 vite. Ky festival, veçanërisht viteve të fundit, po shijon ditët e tij më të mira meqë tashmë radhitet ndër festivalet më të njohura dhe më kualitative në gjithë botën. DokuFest ka rënë në radarët e mediave më prestigjioze ndërkombëtare që i kanë kushtuar vëmendje vit pas viti.

DukuFest për çdo vit ‘uzurpon’ pjesët kyçe të Prizrenit ku aty shfaqen filmat garues natë pas nate, nën interesimin e madh të qytetarëve dhe turistëve që vijnë enkas për këtë festival, që Prizrenit dhe gjithë Kosovës po i jep një infuzion kulturor dhe turistik për së paku dy javë aktivitete të ndryshme kinematografike.

Virusi Covid-19 ka krijuar një ‘normalitet të ri’ në Kosovë ashtu si edhe pothuajse në gjithë botën. DokuFest, ka gjetur një zgjidhje kreative për ta realizuar edicionin e 19 të tij nën rrethana të reja. Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër këtë edicion i cili fillon pas dy ditësh, më datën 7 gusht, po vjen me versionin online.

Deri para një muaji stafi ishte përgatitur për një edicion, që ishte quajtur hibrid, ku një pjesë e filmave do të shfaqeshin online, e tjetra nëpër kinema. Shpërthimi relativisht i madh i pandemisë në vend ka krijuar rrethana tjera dhe për këtë arsye i tërë festivali është bartur në sferën digjitale.

Përveç shfaqjes së filmave, DokuFest do të jap edhe një varg aktivitetesh tjera:

“Këtë vit festivali do të jetë i hapur prej 7-25 gusht me programe të filmit, panele, masterklasa, punëtori bashkëpunuese, si dhe me performanca muzikore online”, thuhet në komunikatën e festivalit.

Tema për këtë vit do të jetë “TRANSMISIONI” teksa ambiciet përcjellëse nuk janë aspak modeste:

“Tema e këtij viti TRANSMISIONI në shumë mënyra do të vërë në pah TRANSICIONIN të cilin jemi duke e përjetuar si shoqëri, teksa po e kuptojmë që bota dhe çdo gjë që dimë për të po TRANSFORMOHET shumë shpejt. Andaj këtë vit ju ftojmë të jeni pjesë e një eksperimenti ku përmbajtja e Festivalit do të transmetohet digjitalisht dhe do të zgjerohet përtej kinemave dhe hapësirave të zakonshme të qytetit të Prizrenit. Kësisoj, shpresojmë të transformohemi personalisht dhe kolektivisht përmes mënyrave të reja të të menduarit, të punuarit dhe shpërndarjes”, thuhej në njoftimin e DokuFestit.

Gara e dokumentarëve të Ballkanit, gara e dokumentarëve Ndërkombëtar, gara e filmave të shkurtër, gara e dokumentarëve për të Drejtat e Njeriut, gara e dokumentarëve të mjedisit, E vërteta si dhe gara kombëtare, përbëjnë programin e sivjetmë digjital të DokuFestit.

Për dashamirët e filmit gjithçka fillon pas dy ditësh deri më datën 25 gusht në një edicion të veçantë, duke shpresuar se vitin që vjen të rikthehemi tek kinematë e hapura në Lumbardh apo në Kala, pa maska dhe distancë, pa ankth dhe mërzi, të transformuar individualisht dhe kolektivisht, ashtu siç synon ky edicion i DukuFestit, ashtu siç e kërkojnë rrethanat e përgjithshme aktuale. / KultPlus.com

08/06/2018 22:59

Ministri Gashi viziton DokuFestin