Lajme

Themelorja konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Gjilanit

04/18/2018 19:14
nga:Gazeta Blic

Gjykata Themelore në Pejë, me aktvendim, e ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me të cilën ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarit e tjerë po ngarkohen me veprat penale “krim i organizuar”, “shpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” si dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Në aktvendimin e sigurar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se, Gjykata Themelore në Pejë i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e të pandehurëve Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Ilijaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qetimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismalji, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Naim Jashari, për hudhjen e aktakuzës, sa i përket veprës penale “krim i organizuar”, nga neni 274 paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkaq, kjo gjykate ka miratuar hudhjen e aktakuzës për veprën penale “krimi organizuar”, nga neni 274 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës (KPK), lidhur me veprat penale “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, nga neni 236 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, pika 5 të KPK-së, kundër të pandehurve Basri Kqiku, Avdil Pireva, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Rrustem Hajdari, Asllan Asllani dhe Asllan Syla.

Në arsyetimin e kësaj gjykate, thuhet se disa veprime parapenale, masa të fshehta të përgjimeve telekomunikimeve, janë marrë para hyrjes në fuqi të Kodit të Ri të Procedurës Penale (KPRK).

Procedura penale në rastin konkret ka filluar me aktvendim mbi fillimin e hetimeve me 6 nëntor 2015, për të vazhduar me zgjerim të hetimeve me 24 nëntor 2015 dhe 4 dhjetor 2015.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, është ngritë me 16 shtator 2016, e që sipas arsyetimit në aktvendim, kanë kaluar më shumë se tre vite pas hyrjes në fuqi të KPRK-së dhe se Kodi Procedural i aplikueshëm në rastin konkret sipas nenit 540 të KPPK-së, është Kodi i Ri i Procedurës Penale (KRPP).

Tutje, në arsyetim të aktvendimit të kësaj gjykate thuhet se mbrojtësit e të pandehurve, nuk e kanë specifikuar saktë se cilat prova janë të papranueshme dhe as nuk i kanë cekur arsyet për papranueshmërinë e të njëjtave.

Ndërsa sa i përket çështjes se disa nga të akuzuarit nuk kanë pasur mbrojtës gjatë deklarimit të tyre në polici, gjykatësi Lokaj ka konstatuar se të njëjtit janë njoftuar me të drejtat e tyre, por që kanë refuzuar të kenë mbrojtës.

Sa i përket kundërshtimeve të mbrojtësve të të akuzuarve, lidhur me provat e paraqitura nga ana e prokurorit, gjykatësi Lokaj ka konstatuar se të njëjtat do të administrohen në shqyrtimin gjyqësor.

Ish-kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa dhe të akuzuarit e tjerë, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 21 nëntor 2017, janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që i ngarkon kjo aktakuzë.

Ndryshe, më 2 gusht të vitit të kaluar “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për këtë rast. Gjykatësi Lokaj, me aktvendim e kishte hudhur si pjesërisht të parregullt aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për sa i përket pikave . I, II, III, IV, V, VI, VII, VIU, X, XI, XII, XIV, XV, XVI, XVII, XVIII. Ndërkaq kishin mbetur në fuqi pikat IX dhe XIII të aktakuzës.

Më 22 shtator, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sipas të cilit, Mustafa dhe të tjerët kthehen në bankën e të akuzuarve për të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazim Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.

Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Ish-kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe në një rast tjetër, i cili në seancën e shqyrtimit fillestar që ishte mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, më 6 nëntor të këtij viti ishte deklaruar i pafajshëm, për akuzën me të cilën ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

11/03/2019 17:35

Zyrtari i PDK-së: Teposhtëzën e nisëm me Thaçin, zgjedhjet e brendshme krijuan grupe e fise