Lajme

Thaçi ushtarëve të Kosovës u flet për marrëveshjen me Serbinë, thotë se po punohet edhe për anëtarësim në NATO

06/13/2019 11:27
nga:L H

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së forcave të NATO-s, ka thënë se edhe pas 20 viteve të përfundimit të gjenocidit dhe spastrimit etnik të Serbisë, ne sot po festojmë lirinë dhe paqen, raporton Gazeta Blic.

Ai këto komente i ka bërë në Kazermën Ushtarake “Adem Jashari” para ushtarëve të FSK-së ku tha se me rastin e këtij 20 vjetori po shënohet edhe kthimi i mbi 1 milion qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre në Kosovë.

“20 vitet e përfundimit të gjenocidit dhe spastrimit etnik të Serbisë, 20 vite të lirisë dhe paqes. Shënojmë kthimin e mbi 1 milion qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre në Kosovë. Vazhdimin e rindërtimit të jetëve dhe shtëpive tona. Mbylljen e kapitullit të tragjedive dhe hapjen e kapitullit të shpresës dhe angazhimit për një jetë më të mirë”

“Nga aspirata e popullit për liri keni lindur edhe ju. E kishim UÇK-në të transformuar në Trupën Mbrojtëse të Kosovës, e themeluam FSK-në dhe para pak muajsh morën edhe vendimin historik duke themeluar Ushtrinë e Kosovës.”

“Sot FSK është e mishëruar me këtë dëshirë për liri, me gatishmërinë për të mbrojtur paqen për çdo qytetarë të Kosovës në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. FSK është forcë multi- etnike që në mënyrën më të mirë pasqyron atë që e kemi arritur së bashku.”

“Po punojmë për anëtarësim në NATO dhe BE. Rruga jonë nuk do të jetë e lehtë dhe e shpejtë, por është e sigurt. Duhet të punojmë në reformat në drejtësi ekonomi e politikë. I gëzohemi anëtarësimit në NATO të Malit të Zi dhe Maqedonisë. Po punojmë seriozisht edhe ne që të jemi pjesë e NATO-s. Po punojmë edhe për marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme me Serbinë”, tha Thaçi./Gazeta Blic